Pas 27 vitesh, identifikohet trupi i Dr. Fatmir Fazliut
Pas 27 vitesh pasigurie dhe pritjeje, familja Fazlija ka marrë lajmin e shumëpritur për identifikimin e Dr. Fatmir Fazlija, i cili ishte zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Lajmin e ka bërë të ditur Flaka Fazlija, përmes një njoftimi publik në emër të familjes, ku ka konfirmuar se rezultatet e analizave të ADN-së, të ardhura nga laboratori në Hagë, kanë mundësuar identifikimin e babait të saj.
NJOFTIMI i plotë:
27 vite pritje, 27 vite ankth… por sot, më në fund, e vërteta gjeti rrugën e saj.
Institucionet e shtetit tonë na informuan se laboratorët në Hagë, përmes analizave të ADN-së, kanë arritur të bëjnë identifikimin e trupit të babait tonë, familjarit tonë të dashur, mjekut të luftës, Dr. Fatmir Fazlija.
Për gati tri dekada e kemi mbajtur gjallë kujtimin për ty me krenari e dhimbje, gjithmonë duke besuar në vlerat e tua, në trashëgiminë tënde, në qëllimin tënd e madje edhe në kthimin tënd.
E ti sërish na dole në fjalë… po i rikthehesh tokës që e deshe e për të cilën sakrifikove gjithçka.
Babi po e përmbyll ciklin e tij jetësor me dinjitetin e një humanisti, me lavdinë e një dëshmori e me kontributin e paçmuar si mantelbardh i lirisë në ato pak vite jetë.
Pushofsh në paqen e amshuar, o qiri i dijes, o yll i shpresës, o dritë e orëve më të errëta!
Falënderime të posaçme të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës dhe të gjithë atyre që kontribuan në zbardhjen e këtij rasti kaq mizor, por jo të pashembullt për fqinjin tonë verior. Ai që i kontribuon të vërtetës, pa dyshim se i ka kontribuar çdo segmenti pozitiv të njerëzimit.
Për detajet e ceremonisë së rivarrimit do t’ju njoftojmë me kohë.
Me respekt,
Familja Fazlija



