Kosova importoi 266 mijë vetura e automjete, vlera e tyre kalon 3 miliardë euro
Kosova ka importuar 266,064 vetura dhe automjete transportuese gjatë periudhës 2021–2025 dhe janar–shtator 2026, me vlerë të përgjithshme prej rreth 3.08 miliardë euro. Buxheti i shtetit ka përfituar 913.2 milionë euro përmes taksave doganore, akcizës dhe TVSh-së.
Oda Ekonomike e Kosovës ka prezantuar të dhënat mbi importin e veturave dhe automjeteve transportuese për periudhën 2021–2025 dhe janar–shtator 2026, duke evidentuar vëllimin e importit, vlerën e automjeteve të importuara dhe të hyrat që ky sektor ka gjeneruar për buxhetin e Kosovës.
Sipas të dhënave të publikuara, gjatë kësaj periudhe në Kosovë janë importuar gjithsej 266,064 vetura dhe automjete transportuese, me vlerë të përgjithshme prej rreth 3.08 miliardë euro. Përmes këtij aktiviteti, në buxhetin e shtetit janë inkasuar 913.2 milionë euro, të cilat përfshijnë të hyrat nga taksat doganore, akciza dhe tatimi mbi vlerën e shtuar (TVSh).
Të hyrat nga importi i automjeteve përbëjnë rreth 11 për qind të të hyrave të përgjithshme doganore, duke e renditur këtë sektor ndër kategoritë me rëndësi për financimin e buxhetit të shtetit.
Të dhënat për të hyrat doganore nga importi i automjeteve tregojnë një trend të rritjes gjatë viteve të fundit, veçanërisht në kategorinë e veturave të përdorura.
Në vitin 2021, të hyrat nga importi i veturave të përdorura arritën në 81.6 milionë euro, ndërsa në vitin 2022 shënuan 80.3 milionë euro. Në vitin 2023, këto të hyra u rritën në 115.8 milionë euro, për të vazhduar me 154.5 milionë euro në vitin 2024 dhe 180.7 milionë euro në vitin 2025.
Vetëm gjatë periudhës janar–shtator 2026, të hyrat nga importi i veturave të përdorura arritën në 138.4 milionë euro. Kjo shumë është dukshëm më e lartë se të hyrat e realizuara në vitet e para të periudhës së analizuar.
Në periudhën 2021–2025, të hyrat nga importi i automjeteve të përdorura janë rritur nga 81.6 milionë euro në 180.7 milionë euro, duke shënuar një rritje prej rreth 108.6 për qind brenda pesë viteve.
Vetëm në janar–shtator 2026, të hyrat nga importi i veturave të përdorura prej 138.4 milionë euro përfaqësojnë rreth 74.9 për qind të shumës së realizuar gjatë gjithë vitit 2025.
Edhe importi i veturave të reja ka gjeneruar të hyra të konsiderueshme për buxhetin e Kosovës, ndonëse në vlera dukshëm më të ulëta krahasuar me automjetet e përdorura.
Në vitin 2021, të hyrat nga importi i veturave të reja arritën në 11.9 milionë euro, ndërsa në vitin 2022 në 10.9 milionë euro. Në vitin 2023, kjo kategori gjeneroi 16.1 milionë euro, për të shënuar 15.5 milionë euro në vitin 2024 dhe 13.6 milionë euro në vitin 2025.
Gjatë periudhës janar–shtator 2026, të hyrat nga importi i veturave të reja arritën në 8.4 milionë euro.
Ndërkohë, të hyrat nga importi i automjeteve transportuese të reja kanë mbetur në nivele më të ulëta. Në vitin 2021, ato arritën në 1.7 milionë euro, ndërsa në vitin 2022 në 1.2 milionë euro. Në vitin 2023 u regjistruan 1.0 milion euro, në vitin 2024 rreth 1.5 milionë euro dhe në vitin 2025 rreth 2.5 milionë euro.
Për nëntë muajt e parë të vitit 2026, të hyrat nga importi i automjeteve transportuese të reja arritën në 1.3 milionë euro.
Një tjetër kategori e rëndësishme në importin e automjeteve janë automjetet transportuese të përdorura, të cilat gjithashtu kanë shënuar rritje të të hyrave doganore gjatë periudhës së analizuar.
Në vitin 2021, të hyrat nga kjo kategori arritën në 8.9 milionë euro, ndërsa në vitin 2022 në 7.3 milionë euro. Në vitin 2023, ato u rritën në 10.2 milionë euro, për të vazhduar me 15.1 milionë euro në vitin 2024 dhe 20.2 milionë euro në vitin 2025.
Gjatë periudhës janar–shtator 2026, të hyrat nga importi i automjeteve transportuese të përdorura arritën në 14.3 milionë euro.
Këto të dhëna tregojnë se, krahas veturave të përdorura, edhe automjetet transportuese të përdorura përbëjnë një kategori me rëndësi në importin e automjeteve dhe në të hyrat që realizohen nga ky aktivitet.
Importi i automjeteve në Kosovë dominohet kryesisht nga vendet e Bashkimit Evropian, prej nga realizohet rreth 85 për qind e importit të përgjithshëm.
Sipas të dhënave të Odës Ekonomike të Kosovës, Gjermania është vendi kryesor i origjinës së automjeteve të importuara, me rreth 70 për qind të importeve. Pas saj renditet Zvicra, Italia dhe Spanja, të cilat së bashku përbëjnë rreth 15 për qind të importit.
Ndërkohë, importi nga vendet e Azisë, përfshirë Kinën, Japoninë dhe Korenë, përbën rreth 10 për qind të totalit, ndërsa rreth 5 për qind e automjeteve importohen nga vende të tjera të botës. /monitor.al







