Myftiu Tërnava takohet me ambasadorin britanik, diskutojnë për vrasjet e grave në Kosovë
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), myftiu Naim ef. Tërnava, ka pritur sot në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.
Gjatë takimit, palët kanë diskutuar për zhvillimet aktuale, mundësitë e bashkëpunimit dhe çështje me interes të përbashkët.
Sipas njoftimit të BIK-ut, pjesë e diskutimit kanë qenë edhe rastet e fundit të vrasjeve të grave në Kosovë, si dhe domosdoshmëria e angazhimit të përbashkët institucional dhe shoqëror për parandalimin e kësaj dukurie.
Myftiu Tërnava e ka njoftuar ambasadorin Hargreaves për angazhimin e tij dhe të Bashkësisë Islame në këtë drejtim, duke theksuar kontributin që mund të japin institucionet fetare përmes edukimit, vetëdijesimit dhe promovimit të respektit për jetën dhe dinjitetin njerëzor.
Ai ka theksuar gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe të gjithë faktorëve shoqërorë në luftimin e dhunës ndaj grave dhe në ndërtimin e një shoqërie ku mbizotërojnë respekti, siguria dhe përgjegjësia.
Nga ana e tij, ambasadori Hargreaves e ka vlerësuar mundësinë e takimit dhe ka shprehur gatishmërinë për të shqyrtuar mundësitë e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.



