Kurti: Shëndeti mendor i fëmijëve dhe të rinjve duhet të jetë pjesë e pandashme e politikave shtetërore
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në tryezën e diskutimit me temën “Shëndeti mendor”, të organizuar nga Zyra e Kryeministrit në bashkëpunim me UNICEF-in.
Kurti ka theksuar se mirëqenia dhe shëndeti mendor i fëmijëve dhe të rinjve duhet të jenë pjesë e pandashme e politikave shtetërore, duke vlerësuar se zhvillimi i vendit dhe i kapitalit njerëzor nuk mund të trajtohet pa u kushtuar vëmendje këtyre çështjeve.
Ai ka rikujtuar se në gusht është publikuar raporti “Hartëzimi i shërbimeve të shëndetit mendor dhe mbështetjes psikosociale për fëmijët dhe të rinjtë në Kosovë”, i realizuar nga UNICEF-i në bashkëpunim me Institutin e Psikologjisë të Universitetit të Prishtinës.
Sipas Kurtit, raporti ofron një pasqyrë të gjendjes dhe rekomandime për avancimin e shërbimeve të shëndetit mendor në vend.
“Pas lansimit, nga UNICEF-i kam kërkuar që të mblidhemi përsëri për të reflektuar së bashku mbi gjetjet, për të diskutuar në thelb rekomandimet dhe mbi të gjitha për t’i përcaktuar hapat që duhet t’i ndërmarrim si shtet për të avancuar agjendën e shëndetit mendor në Kosovë. Prandaj, takimi i sotëm duhet të na çojë nga evidenca te veprimi”, ka thënë Kurti, , raporton “Ekonomia Online”.
Ai ka theksuar se shëndeti mendor nuk është përgjegjësi vetëm e një institucioni apo sektori, por kërkon bashkëpunim ndërmjet shëndetësisë, arsimit, shërbimeve sociale dhe institucioneve të tjera.
“Shëndeti mendor nuk është dhe nuk mund të jetë përgjegjësi vetëm e një sektori apo një institucioni. Ai lidhet me shëndetin, me mjedisin ku mësojnë fëmijët, me familjet ku rriten ata, me shërbimet sociale dhe shëndetësore që i mbështesin, me sigurinë, komunitetin ku jetojnë dhe me mundësinë që të krijojnë për ta”, është shprehur ai.
Kryeministri ka përmendur edhe masat e ndërmarra nga Qeveria, përfshirë shtesat për fëmijët, mbështetjen për nënat lehona, programin e intervenimit të hershëm për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe mundësitë për fuqizimin e punësimin e të rinjve.
Ai ka përmendur edhe rënien e vdekshmërisë neonatale dhe rritjen e përfshirjes së fëmijëve në edukimin në fëmijërinë e hershme, duke theksuar se shëndeti mendor duhet të jetë pjesë e këtij investimi.
“Ambicia jonë është e qartë: ta ndërtojmë një sistem i cili jo vetëm që reagon në kriza, por paraprakisht investon në parandalim, identifikim dhe mbështetje të hershme. Një sistem në të cilin fëmijët, të rinjtë dhe familjet e tyre e dinë se ku mund të drejtohen dhe të marrin mbështetjen e duhur në kohën e duhur”, ka deklaruar Kurti.
Ndërkaq, udhëheqësja globale për shëndetin mendor në UNICEF, Zeinab Hijazi, ka thënë se Kosova, njësoj si vendet e tjera, po përballet me sfida në këtë fushë.
Ajo ka theksuar se problemet e shëndetit mendor ndikohen edhe nga kushtet në të cilat rriten njerëzit, përfshirë varfërinë, pabarazinë, dhunën, diskriminimin dhe mungesën e mundësive.
Hijazi ka ngritur shqetësimin edhe për nivelin e ulët të investimeve në shërbimet e shëndetit mendor, duke iu referuar të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, sipas të cilave qeveritë shpenzojnë mesatarisht rreth dy për qind të buxheteve të tyre shëndetësore për këtë fushë.
Ajo ka theksuar se raporti për Kosovën tregon urgjencën e ndërhyrjes, duke evidentuar rritjen e përqindjes së nxënësve që kanë raportuar se kanë tentuar vetëvrasjen.
“Në raport përmendet rritja e përqindjes së nxënësve 15 dhe 16-vjeçarë të anketuar që kanë raportuar se kanë tentuar vetëvrasjen, nga 3.4 për qind në vitin 2011, në 10 për qind në vitin 2024”, ka deklaruar Hijazi.
Ajo ka bërë thirrje për mbledhjen e të dhënave më të mira dhe për veprime konkrete, në mënyrë që shërbimet e mbështetjes së shëndetit mendor të jenë më të qasshme dhe efektive për fëmijët dhe të rinjtë.



