Legjenda e Juventusit vlerëson Zhegrovën: Është lojtar i tipit brazilian, do ta kisha të vështirë ta ndalja
Paolo Montero, një prej mbrojtësve më luftarakë në historinë e Juventusit, ka dhënë vlerësime pozitive për Edon Zhegrovën, duke e cilësuar futbollistin kosovar si lojtar të tipit brazilian.
Ish-mbrojtësi uruguaian, i njohur për ndërhyrjet e ashpra dhe duelet e forta me sulmuesit kundërshtarë, ka pranuar se përballja me Zhegrovën nuk do të ishte aspak e lehtë, sidomos kur anësori kosovar merr topin dhe niset drejt kundërshtarit.
“Më pëlqen. Është një lojtar i tipit brazilian. Tani, sa herë që futet në lojë, duhet ta rrisë minutazhin. E kam parë në Francë dhe mendoj se duhet të kemi durim”, ka deklaruar Montero, shkruan “Goal”.
Ai ka theksuar se Zhegrova ka nevojë për kohë për t’u përshtatur plotësisht me Juventusin, duke kujtuar se edhe futbollistë të mëdhenj kanë pasur vështirësi në fillimet e tyre në Torino.
“Kur Zidane erdhi në Torino, në janar Juventusi dëshironte ta largonte. Pastaj e pamë se çfarë lojtari u bë. Nuk është e lehtë të përshtatesh me ndryshimet. Fanella e Juventusit peshon shumë. Ne duam gjithçka menjëherë dhe Juventusi duhet të fitojë çdo ditë”, është shprehur ish-mbrojtësi.
I pyetur se si do ta ndalte Zhegrovën nëse do të përballeshin në fushë, Montero ka pranuar se do të ishte një sfidë e vështirë.
“Do të ishte e vështirë. Kur të del përballë dhe niset drejt teje, është e komplikuar. Duhet ta shikosh gjithmonë topin dhe jo lojtarin. Nëse vepron kështu, ndonjëherë arrin ta marrësh topin. Përndryshe, ai nuk të kalon”, ka thënë Montero.



