Vrasja e Arlindës nxjerr në pah boshllëqet në sistemin për mbrojtjen e grave

04 nëntor 2026 | 12:37

Gjendja në Qendrat për Punë Sociale nuk është e mirë, pasi ato përballen me mungesë të kushteve dhe të psikologëve.

Kështu ka deklaruar Luljeta Plakolli Kasumi, eksperte në Institutin Nacional Demokratik (NDI), në mbledhjen e sotme të Komisionit për të Drejtat e Njeriut.

“Nuk ka kushte, s’ka psikologë. Ka raste kur i thuhet viktimës se nuk kemi vend. Nuk po i fajësoj, sepse kam takuar shumë prej tyre gjatë këtyre viteve dhe e bëjnë maksimumin, por kur nuk kanë financim e kushte, ai është maksimumi që mund të bëjnë. Vrasja e Arlindës i ka nxjerrë në pah të gjitha këto boshllëqe. Që kur kemi nisur të diskutojmë për strategjinë, Arlinda është e katërta në listë. Është dekurajuese, një situatë shumë e rëndë. E di që Kuvendi ka themeluar edhe Komisionin Hetimor. Ndoshta duhet një qasje për ta ndarë punën, në mënyrë që të mos ketë mbivendosje të veprimeve”, ka thënë ajo.

Kasumi ka vlerësuar se probleme të shumta ka edhe në sistemin e drejtësisë, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në besimin e grave në institucione.

“Çështja vjen te drejtësia. Edhe këtu ka shumë probleme që ndikojnë drejtpërdrejt në besimin e grave në sistem. Kemi raportime për seanca që shtyhen vazhdimisht për shkak se i pandehuri mungon. Kemi rastin e Diana Kastratit, për të cilin tash është ngritur aktakuza në mungesë, pas 15 vitesh”, ka deklaruar ajo.

Arlinda Zekaj, 49-vjeçare, u vra më 25 tetor 2026 në Vitomiricë të Pejës, ndërsa i dyshuar për vrasjen është kunati i saj.

Vetëm katër ditë para ngjarjes, ajo kishte dorëzuar një parashtresë në Prokurorinë Themelore në Pejë, duke paralajmëruar rrezikun për jetën e saj.

Rasti ka nxitur protesta dhe reagime të shumta lidhur me përgjegjësinë institucionale. Ndërkaq, Policia e Kosovës ka suspenduar 11 zyrtarë policorë lidhur me trajtimin e këtij rasti.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Shefi i grupit parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, ka kritikuar…