Raporti për Shqipërinë, Kos: Tirana ka shënuar përparim në reformat kyçe, synon mbylljen e negociatave më 2027
Komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ka vlerësuar në Parlamentin Evropian se Shqipëria ka shënuar përparim në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, duke mbyllur përkohësisht katër kapituj të negociatave.
Ajo ka theksuar se vendi duhet të vazhdojë punën për të përmbushur synimin për anëtarësim në BE dhe për mbylljen e negociatave deri në fund të vitit 2027.
Sipas Kosit, Shqipëria duhet të përqendrohet më shumë në çështjet që lidhen me drejtësinë dhe mjedisin, të cilat kanë rëndësi jo vetëm për procesin e integrimit evropian, por edhe për vetë qytetarët.
“Ritmi me të cilin Shqipëria po zbaton reformat e BE-së është një tregues i angazhimit të saj për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Është shënuar përparim në zbatimin e reformave kyçe. Këtë vit u arrit një etapë e rëndësishme me përmbushjen e kritereve të ndërmjetme për grupkapitullin e parë, atë të Themeloreve”, ka thënë Kos.
Ajo ka shtuar se Shqipëria ka mbyllur përkohësisht katër kapituj dhe po punon për përmbushjen e kritereve përmbyllëse për kapituj të tjerë.
“Në të njëjtën kohë, do të na duhet të shohim një vijimësi të përqendrimit te përparimi në fushat kyçe. Kjo është e rëndësishme që Shqipëria të përmbushë objektivin e saj ambicioz, por të arritshëm, për mbylljen e negociatave deri në fund të vitit 2027. Në qendër të çdo përpjekjeje për reforma duhet të jenë sundimi i ligjit, një gjyqësor i pavarur, liria e medias dhe mbrojtja e të drejtave themelore. Përparimi në çështjet mjedisore duhet të jetë gjithashtu një përparësi. Këto çështje kanë rëndësi jo vetëm për anëtarësimin në BE, por edhe për shoqërinë shqiptare dhe jetën e përditshme të qytetarëve”, ka deklaruar ajo.



