Paca nuk e përjashton kandidimin për kryeprokuror të Prokurorisë Speciale
Ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Dren Paca, nuk e ka përjashtuar mundësinë e kandidimit për këtë pozitë, në rast se shpallet konkursi.
I pyetur nëse do të jetë pjesë e garës për kryeprokuror, Paca ka thënë se këtë çështje do ta shqyrtojë dhe vlerësojë në të ardhmen, kurdo që të hapet konkursi.
Ai ka theksuar se gjatë ushtrimit të kësaj detyre do të angazhohet që puna e Prokurorisë Speciale të vazhdojë pa pengesa dhe pa zbrazëtira në funksionimin e përditshëm.
“Unë do të kujdesem gjatë kësaj periudhe, sado që të zgjasë, që funksionin e ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit ta ushtroj në mënyrën më të mirë, me përkushtim maksimal, në atë formë që të mos lejojmë të mbetet ndonjë zbrazëtirë në punën e përditshme të Prokurorisë Speciale. Kurse momentin se kur do të shpallet konkursi dhe nëse unë do të jem një prej kandidatëve potencialë në atë garë, do ta shqyrtoj dhe vlerësoj në të ardhmen, kurdo që të hapet ai konkurs”, ka deklaruar Paca.



