Komisioni Evropian vlerëson pozitivisht punën e Agjencisë për Informim dhe Privatësi

04 nëntor 2026 | 22:14

Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2026 ka vlerësuar pozitivisht punën e Agjencisë për Informim dhe Privatësi (AIP), duke veçuar progresin në trajtimin e ankesave, harmonizimin e legjislacionit me standardet e Bashkimit Evropian dhe avancimin e mbrojtjes së të dhënave personale.

Sipas vlerësimeve të paraqitura në raport, trajtimi i ankesave që ndërlidhen me qasjen në dokumente publike dhe mbrojtjen e të dhënave personale vazhdon të realizohet në mënyrë të pavarur dhe efikase.

Një tjetër aspekt pozitiv i evidentuar është harmonizimi në masë të madhe i kuadrit ligjor të Kosovës për mbrojtjen e të dhënave personale me Rregulloren e Përgjithshme të Bashkimit Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave (GDPR).

Raporti gjithashtu thekson progresin në miratimin e legjislacionit sekondar në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale, si një hap i rëndësishëm drejt fuqizimit të mekanizmave ligjorë dhe institucionalë në këtë sektor.

Në mesin e zhvillimeve të vlerësuara përfshihet edhe përmirësimi i ndërgjegjësimit të institucioneve publike dhe subjekteve private për rëndësinë e respektimit të standardeve të mbrojtjes së të dhënave personale.

Në këtë drejtim, theksohet nevoja që institucionet të konsultohen në mënyrë sistematike me Agjencinë për Informim dhe Privatësi gjatë hartimit të legjislacionit që ndërlidhet me këtë fushë.

Vlerësimet e Komisionit Evropian paraqesin një pasqyrë pozitive të punës së Agjencisë dhe të progresit të arritur në forcimin e së drejtës për informim dhe mbrojtjen e privatësisë në Kosovë, duke mbetur njëkohësisht sfidë vazhdimi i harmonizimit dhe zbatimit të standardeve evropiane.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Klubi Futbollistik “Ramiz Sadiku” ka dhënë sinjale të qarta rikthimi,…