Aksion kundër bixhozit ilegal në Prizren, Suharekë dhe Dragash, arrestohen 22 persona

05 nëntor 2026 | 12:15

Policia e Kosovës, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prizren, ka realizuar një operacion të gjerë kundër organizimit të lojërave të paligjshme të fatit në rajonin e Prizrenit.

Operacioni është zhvilluar më 4 nëntor 2026, në kuadër të planit operativ “Bixhozi”, pas një periudhe të gjatë të veprimeve operative-hetimore, përfshirë edhe masa të veçanta hetimore.

Gjatë aksionit janë kontrolluar 20 lokacione, përkatësisht lokale afariste dhe shtëpi banimi, në tri komuna: Prizren, Suharekë dhe Dragash.

Sipas njoftimit të Policisë, gjatë kontrolleve janë sekuestruar rreth 10 mijë euro para të gatshme, pajisje të ndryshme elektronike, si dhe katër armë zjarri dhe municion.

Në kuadër të këtij operacioni janë arrestuar 22 persona, të dyshuar për veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, sipas nenit 294, paragrafi 2, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Pas intervistimit, në prani të avokatëve mbrojtës dhe me vendim të Prokurorisë, 19 të dyshuar janë ndaluar për 48 orë, ndërsa tre të tjerë janë liruar dhe ndaj tyre do të vazhdojë procedura e rregullt.

Operacioni është udhëhequr nga Prokuroria Themelore në Prizren dhe është realizuar nga Sektori Rajonal i Hetimeve, në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren, me mbështetjen e njësive dhe stacioneve të tjera policore.

Prokuroria Themelore në Prizren dhe Policia e Kosovës kanë bërë të ditur se do të vazhdojnë angazhimin për parandalimin dhe luftimin e veprimtarive kriminale, përfshirë organizimin e bixhozit të kundërligjshëm.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Gjenerali Hisen Berisha ka reaguar në gjashtëvjetorin e shkuarjes në…