BE-ja vazhdon të mbështesë Kosovën në forcimin e sigurisë
Në Takimin e 16-të të Koordinimit Lokal për Udhërrëfyesin SALW, të mbajtur në Prishtinë, institucionet e Kosovës, BE-ja dhe partnerët ndërkombëtarë shqyrtuan progresin e arritur dhe diskutuan hapat e mëtejshëm për forcimin e kontrollit të armëve të zjarrit, bashkëpunimit rajonal dhe parandalimit të dhunës me armë zjarri.
Zyra e BE-së në Prishtinë ka njoftuar se, Bashkimi Evropian vazhdon të mbështesë Kosovën dhe pjesën tjetër të Ballkanit Perëndimor në forcimin e sigurisë për të gjithë qytetarët përmes Udhërrëfyesit për Kontrollin e Armëve të Vogla dhe të Lehta (SALW).
Vëmendje e veçantë iu kushtua parandalimit të dhunës në familje me armë zjarri dhe integrimit të perspektivës gjinore në kontrollin e armëve të zjarrit. Sipas SEESAC, që financohet nga BE-ja, në Kosovë u regjistruan 46 incidente me armë zjarri në mjedise familjare gjatë vitit 2025 dhe 15 të tjera në gjysmën e parë të vitit 2026, duke theksuar nevojën për vlerësime më të mira të rrezikut dhe për marrjen parasysh të perspektivës gjinore gjatë lëshimit të lejeve për armë zjarri.
“Si partneri më i fuqishëm dhe më i besueshëm i Kosovës dhe ofruesi më i madh i ndihmës financiare, përfshirë mbështetjen për kontrollin e armëve të vogla dhe të lehta, BE-ja mbetet e përkushtuar për ndërtimin e komuniteteve më të sigurta në Kosovë dhe në mbarë Ballkanin Perëndimor”, ka njoftuar Zyra e BE-së në Prishtinë.



