Gjashtë vjet padrejtësi

05 nëntor 2026 | 15:40

Shkruan: Lirim Greiçevci

Sot u bënë gjashtë vite të gjata e të rënda nga privimi i padrejtë nga liria i Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Ky proces politik, i maskuar nën petkun juridik, do të mbetet në analet e historisë dhe të së drejtës si një njollë e pashlyeshme turpi, e cila i kalon me qindra herë përmasat e aferës së Dreyfus-it.
Në rastin e Presidentit Hashim Thaçi, fletëarresti ishte lëshuar në mënyrë kundërkushtetuese. Jack Smith, me ndihmën e noterit të tij, Nicolas Guillou, atëbotë gjyqtar i procedurës paraprake, ndërsa tani gjyqtar i sanksionuar në Gjykatën Ndërkombëtare Penale në Hagë, kishin shpërfillur në tërësi vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, KO 98/11, në bazë të të cilit Presidenti i Kosovës nuk mund të arrestohej sa ishte në detyrë. Presidenti Thaçi, me pjekuri shtetërore dhe për të mos e futur Kosovën në ndonjë krizë institucionale, kishte vendosur që të jepte dorëheqje dhe ishte dorëzuar vullnetarisht.
Para gjashtë vitesh, unë gjendesha në Hagë si ambasador i Kosovës. E mbaj mend si sot kontaktin e parë me krerët e UÇK-së pas transferimit të tyre atje, i cili na u lejua vetëm me video dhe me telefon. Ishin momente thellësisht të rënda e prekëse. Më pas, ata jo vetëm që u mbyllën në paraburgim larg vendit, por edhe me muaj të tërë ua ndaluan të gjitha vizitat, madje edhe nga familjet e tyre dhe nga vetë ambasada, duke u thirrur në masat kundër COVID-it.
Pas shumë insistimeve dhe protestimeve të mia të vazhdueshme në gjykatë për t’i lejuar vizitat, qoftë edhe me masa parandaluese të COVID-it, e mbaj mend që iu drejtova me një lloj ultimatumi Ministrisë së Jashtme të Holandës: në rast se nuk fillonin vizitat menjëherë, do ta denoncoja këtë rast publikisht, edhe përmes organizatave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Kjo këmbëngulje pati sukses dhe vizitat filluan, por të kufizuara fillimisht vetëm për familjarët e ngushtë dhe ambasadën në Hagë.
Në këtë ditë të dhimbshme, dëshiroj t’i veçoj me nderim sidomos familjet, të cilat kanë vuajtur më së shumti për më të dashurit e tyre, duke mos i lënë asnjëherë vetëm në Hagë. Ato kanë hasur në vështirësi të shumta gjatë udhëtimit, duke mos pasur as edhe një fluturim direkt nga Kosova. Familjet janë heronjtë e heshtur dhe të palëkundur të këtij procesi.
Kjo gjykatë ishte një thikë në shpinë për Kosovën. Çdo gjë rreth këtij procesi kundërmon tradhti, kurdisje dhe padrejtësi të kulluar. Kosova nuk kishte nevojë edhe për një gjykatë të katërt nga ndërkombëtarët. Tri sosh më herët kishin hetuar e gjykuar këdo që donin. Kjo është një gjykatë tërësisht politike dhe duhet trajtuar si e tillë.
Parlamenti i Kosovës do të duhej që urgjentisht ta krijonte një komision hetimor, me ekspertizë ndërkombëtare, për ta zbardhur të vërtetën e plotë se si ndodhi që Kosova u abuzua kaq rëndë në këtë mënyrë. Në rast se bëhet kjo, unë do të isha plotësisht i gatshëm të jap dëshminë time, qoftë të hapur ose të mbyllur, si dëshmitar i drejtpërdrejtë i tërë kësaj padrejtësie, që nga fillet e saj

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Drejtori i organizatës “Zëri Perëndimor i Kosovës”, veprimtari, Sali Bislimi,…