Sulmet ruse lënë pa rrymë 600 mijë ukrainas
Sulmet ruse ndaj sistemit energjetik në rajonin lindor ukrainas të Dnipropetrovskut kanë lënë pa energji elektrike 600 mijë persona, teksa fushata e Kremlinit ndaj caqeve energjetike të Ukrainës ka vazhduar edhe më 8 nëntor.
Kreu i administratës ushtarake rajonale, Oleksandr Hanzha, ka thënë se spitalet janë detyruar të funksionojnë me gjeneratorë me naftë, ndërsa transporti publik që funksionon me energji elektrike në Dnipro është ndërprerë plotësisht.
“Punonjësit e kompanisë së energjisë elektrike tashmë po punojnë për të rikthyer furnizimin me energji. Përpjekjet e tyre po pengohen nga bombardimet e vazhdueshme ruse”, ka shkruar ai në rrjetet sociale.
Sulmet kanë ndodhur një ditë pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e ka akuzuar Rusinë se po përpiqet të ushtrojë presion maksimal përpara bisedimeve trepalëshe në Abu Dabi, që do të mbahen në ditët në vijim, duke e zhytur “të gjithë vendin në errësirë”.
Më 8 nëntor, Zelensky ka thënë se ka “ndërprerje të mëdha të energjisë elektrike në mbarë vendin. Vetëm në rajonin e Zhitomirit, 140 ndërtesa banimi mbetën pa ngrohje pas një sulmi rus”.
Rusia ka nisur intensifikimin e sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës në fund të shtatorit. Moska e ka shënjestruar këtë sektor çdo dimër që nga nisja e pushtimit të plotë të Ukrainës në vitin 2022.
Në tetor, “Radio Evropa e Lirë” ka siguruar nga forcat e armatosura ukrainase një dokument të detajuar rus, i cili paraqet planin për fushatën e sulmeve të këtij viti, që kanë për shënjestër prodhimin dhe furnizimin me energji elektrike, furnizimin me ujë, sistemet e kanalizimit dhe ngrohjen.
Forcat e armatosura ukrainase kanë njoftuar më 8 nëntor se Rusia ka kryer sulme gjatë natës me tri raketa tokë-ajër të llojit Kh-59/69, të lëshuara nga Deti i Azovit, si dhe me 164 dronë sulmues, 112 prej të cilëve me motor reaktiv.
Sipas ushtrisë ukrainase, 137 dronë janë penguar. Megjithatë, një sulm me dron ndaj një shtëpie private në një periferi të Dnipros ka shkaktuar zjarr, ndërsa një tjetër sulm në këtë qytet ka vrarë një civil dhe ka plagosur një tjetër, kanë njoftuar autoritetet ukrainase.
Katër persona janë plagosur në rajonin e Poltavës si pasojë e sulmeve ruse.
Ministria ruse e Mbrojtjes ka pretenduar se ka goditur një nënstacion elektrik “që furnizon me energji elektrike ndërmarrjet e industrisë së mbrojtjes të Ukrainës”, si dhe një anije kontejnerësh në Detin e Zi, e cila po “transportonte armë”.
Autoritetet në rajonin rus të Kurskut, që gjendet në kufi me Ukrainën, kanë thënë se një 40-vjeçar është vrarë pasi traktori me të cilin po udhëtonte është goditur në një sulm me dron.
Pretendimet lidhur me zhvillimet në fushëbetejë nuk kanë mundur të verifikohen në mënyrë të pavarur. /REL



