Asnjë parti nuk siguron shumicën në Zelandën e Re, qeveria e re mbetet në pikëpyetje

08 nëntor 2026 | 15:30

Zgjedhjet e përgjithshme në Zelandën e Re nuk kanë nxjerrë një fitues të qartë, ndërsa formimi i qeverisë së ardhshme varet nga numërimi i rreth 300 000 votave speciale.

Sipas “Radio New Zealand”, lideri i Partisë Kombëtare dhe kryeministri Christopher Luxon ka thënë se partia e tij kishte “një rrugë drejt formimit të qeverisë së ardhshme, por gara është shumë e ngushtë për të nxjerrë një përfundim”, duke pranuar se do të duhej të numëroheshin “rreth 300 000 vota speciale” për të përcaktuar rezultatin përfundimtar.

Votat speciale jepen nga votuesit që nuk figurojnë në listën zgjedhore në qendrën e tyre të votimit, ata që janë në listën e papublikuar, votuesit jashtë vendit dhe personat që nuk kanë mundësi të kenë qasje në një qendër votimi.

Si Partia Kombëtare, ashtu edhe Partia Laburiste e opozitës, kanë pasur vështirësi të sigurojnë më shumë se 30 për qind të votave partiake, ndërsa diferenca mes tyre ka qenë vetëm disa mijëra vota.

Laburistët kanë siguruar 29.4 për qind të votave ose 710 330 vota, ndërsa Partia Kombëtare ka marrë 29,2 për qind ose 706 680 vota. Partia Kombëtare ka fituar 42 vende, ndërsa Laburistët kanë siguruar 36 vende.

Një parti ose koalicion duhet të ketë të paktën 66 vende për të siguruar shumicën në parlamentin me 120 vende. Sipas projeksioneve, përbërja aktuale pritet të përfshijë edhe 11 vende shtesë mbi numrin e paraparë.

Rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve pritet të shpallen më 27 nëntor.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Trajneri i Romës, Gian Piero Gasperini, ka shprehur kundërshtimin e…