Kadare i shkroi Kosovës me vargje, me roman, me letra, me artikuj, me intervista, me ditar

09 nëntor 2026 | 14:35

Të nderuar zonja dhe zotërinj,

Të dashur miq,

Në vitin 1966 një poet i ri shqiptar fluturonte mbi Kosovë. Kufiri i asaj kohe nuk e lejonte të zbriste. Kosova i takonte atëherë vetëm qiellit. Dhe ai shkroi:

“Sa herë kam kaluar mbi qiellin tënd, Kosovë,

Midis reve të tua të rënda, gjëmimeve të tua…”

Ai poet i ri ishte babai im.

Kështu nisi lidhja e tij me Kosovën: nga qielli, nga larg, si një mall që s’kishte ku të ulej.

Kadare i shkroi Kosovës me vargje. Pastaj me roman. Pastaj me letra drejtuar presidentëve dhe Papës, me artikuj në shtypin e botës, me intervista, me pyetje të dërguara përtej hekurave të një burgu. Dhe më në fund, me një ditar.

Në vjeshtën e vitit 1980 shtëpia botuese “Rilindja” botoi veprat e tij në dhjetë vëllime, dhe ai erdhi këtu. Prishtina e priti si birin e saj.

Pranvera që erdhi pas ishte e ftohtë. Studentët e Kosovës dolën në rrugë dhe u shtypën egërsisht. Ai shkroi “Krushqit janë të ngrirë”. Libri u botua edhe në frëngjisht e në anglisht, dhe britma e atyre studentëve kapërceu kështu kufijtë që synonin ta mbysnin.

Në shtator të vitit 1991, nga Parisi, i dërgoi letra Papës Gjon Palit dhe tre presidentëve: Bushit, Mitterrandit, Havelit. U shkroi se gjysma e kombit shqiptar kishte shpëtuar nga diktatura, ndërsa gjysma tjetër vazhdonte “të lëngonte nën një nga diktaturat më të egra që ka njohur bota”. Dhe i paralajmëronte: “një masakër e përgjakshme po përgatitet kundër shqiptarëve”.

Përgjigjet vonuan. Vitet kaluan. Masakra erdhi.

Në vitin 1998, kur Kosova po digjej, shkroi “Tri këngë zie për Kosovën”. Aty dy lahutarë, një shqiptar e një serb, i këndojnë së njëjtës betejë me fjalë të kundërta, e nuk pranojnë t’i ndërrojnë këngët. Ai nuk e shkroi atë libër për ta ushqyer mallkimin. E shkroi për ta thyer.

Pastaj erdhi viti tragjik 1999. Dhjetë muaj rresht, ditë pas dite, babai mbajti një ditar. E titulloi me një shprehje të moçme, që thuhet kur fatkeqësia bashkon ata që i kanë ndarë kufijtë: “Ra ky mort e u pamë”. Një shprehje, shkruante ai, “e rëndë si gur varri”.

Sot, ne, trashëgimtarët e shkrimtarit, nëna ime Helena, motra ime Gresa, dhe unë, kemi kënaqësinë t’i dhurojmë Bibliotekës Kombëtare të Kosovës një kopje të dorëshkrimit të atij ditari. Këto faqe u shkruan për Kosovën në ditët e saj më të rënda. Ndaj vendi i tyre është këtu, në tokën martire që i lindi.

Në hyrje të librit Ismaili shkroi se shënimet e tij ishin gurët e një drame, dhe se i takonte lexuesit t’i bashkonte “për të ndërtuar ai vetë katedralen e një vuajtjeje”. Ato që shihni në këtë sallë janë gurët. Katedralen do ta ngrini ju.

Falënderoj Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, Ambasadën e Shqipërisë në Kosovë dhe ambasadorin Petrit Malaj, ish-kolegun tim, si dhe Muzeun Studio Kadare dhe drejtoreshën e tij të palodhur, Anisa Ymeri, për organizimin e kësaj ekspozite. Falënderoj miqtë dhe të gjithë ju që erdhët sot për ta nderuar kujtimin dhe veprën e Kadaresë.

Në vitin 2023 Kosova i dha nënshtetësinë babait tim. Njeriu që dikur e kishte parë vetëm nga qielli, u bë qytetar i saj. Kur ai u largua nga kjo botë, Kosova mbajti zi.

Për gati gjashtëdhjetë vjet Kadare i shkroi Kosovës. Sot letrat e tij kanë mbërritur në destinacionin e duhur: këtu, në shtëpinë e librit shqip.

Dikur na mblodhi një mort. Sot na mbledh vepra e tij.

Ju faleminderit!

 

Fjalim i Besiana Kadaresë, vajzës së shkrimtarit Ismail Kadare, me rastin e hapjes së ekspozitës “Kosova e Kadaresë ”, më 6 nëntor 2026, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës.

Shkrimi është marrë nga llogaria në “Facebook” e Besiana Kadaresë.

Titulli është i redaksisë së gazetës.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen…