BQK miratoi udhëzuesit për funksionimin e sistemit të pagesave të shpejta TIPS-K

10 nëntor 2026 | 18:52

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) në kuadër të përgatitjeve përfundimtare për lansimin e sistemit të pagesave të shpejta TIPS-K, ka miratuar dy udhëzues të rëndësishëm që plotësojnë kornizën rregullative dhe përcaktojnë aspektet operacionale, financiare dhe të pajtueshmërisë për funksionimin e këtij sistemi.

Udhëzuesi i parë përcakton kushtet dhe modalitetet e përdorimit të sistemit TIPS-K, përfshirë fushëveprimin, mënyrën e funksionimit dhe tarifat e aplikueshme për shfrytëzimin e tij nga institucionet pjesëmarrëse.

Udhëzuesi i dytë trajton aspektet që lidhen me parandalimin e pastrimit të parave, luftimin e financimit të terrorizmit (PPP/LFT) dhe parandalimin e mashtrimeve, duke përcaktuar kërkesat dhe masat përkatëse për menaxhimin e rreziqeve, parandalimin e transaksioneve të dyshimta dhe mashtruese, si dhe sigurimin e pajtueshmërisë me kërkesat ligjore dhe rregullative në kuadër të sistemit të pagesave të shpejta.

Miratimi i këtyre dy udhëzuesve sot vjen pas miratimit muajin e kaluar të Rregullores për Sistemin e Pagesave të Shpejta TIPS-K dhe shënon finalizimin e kornizës rregullative të nevojshme për vënien në funksion të sistemit.

Sipas udhëzuesit të miratuar, nga data 23 nëntor 2026 do të fillojë zbatimi gradual i sistemit, gjatë një periudhe tranzitore tremujore, duke mundësuar përfshirjen progresive të bankave dhe ofrimin e shërbimeve të pagesave të shpejta për publikun. Pas përfundimit të kësaj periudhe, nga data 23 shkurt 2027, të gjitha bankat do të jenë pjesëmarrëse në sistemin TIPS-K, duke mundësuar shtrirjen e plotë të këtij shërbimi në sektorin bankar të Kosovës dhe qasjen në të për të gjithë qytetarët dhe bizneset.

Sistemi TIPS-K do të mundësojë realizimin e pagesave dhe transferimin e mjeteve brenda pak sekondash, 24 orë në ditë, 7 ditë në javë, përmes institucioneve pjesëmarrëse, duke avancuar efikasitetin, sigurinë dhe qasjen në shërbimet e pagesave për qytetarët dhe bizneset.

Ky zhvillim është pjesë e reformave strategjike të BQK-së për modernizimin e infrastrukturës kombëtare të pagesave, nxitjen e konkurrencës dhe inovacionit financiar, si dhe përafrimin e mëtejmë të sistemit të pagesave të Kosovës me standardet dhe praktikat evropiane.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Dr. sc. Bekim Vishaj 26.06.2026, në Memaliaj. Sapo hyjmë në…