Ballazhi e quan të tmerrshëm vendimin e Gjykatës Speciale për krerët e UÇK-së
Kryetari i Komunës së Hanit të Elezit dhe ish-komandanti i UÇK-së, Mehmet Ballazhi, e ka cilësuar të tmerrshëm vendimin e Gjykatës Speciale për krerët e UÇK-së, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.
Ballazhi ka thënë se kishte besim te drejtësia ndërkombëtare, por se vendimi nuk ishte në përputhje me pritjet e tij dhe të qytetarëve.
Ai ka shprehur shpresën që vendimi i shkallës së parë të hidhet poshtë në fazën e apelit.
“Vendimi ka qenë i tmerrshëm. Ta them të drejtën kam pasur një besim te drejtësia ndërkombëtare, por nuk doli ashtu si prisja jo vetëm unë, por të gjithë qytetarët. Pavarësisht prej kësaj, besoj se në fazën e apelit të hidhet poshtë vendimi i tmerrshëm i shkallës së parë të Gjykatës Speciale. Është e palogjikshme dhe absurde që çlirimtarët tanë të krahasohen me kriminelët e Serbisë të cilët kanë kryer krime të tmerrshme ndaj shqiptarëve”.
“Ata burra dhe UÇK-ja ka luftuar vetëm kundër tyre dhe regjimit të Sllobodan Millosheviqit. Ju e keni parë se si shteti serb organizoi ceremoni shtetërore për varrimin e një krimineli dhe, në anën tjetër, dënohen çlirimtarët tanë. Kjo është e paimagjinueshme dhe nuk do koment”, ka deklaruar Ballazhi në një intervistë për “Epokën e re”.



