Pochettino drejt Manchester Unitedit, argjentinasi i hapur për rikthim në Premier League
Mauricio Pochettino mund të jetë trajneri i ri i Manchester Unitedit. Argjentinasi është shfaqur si kandidati kryesor për të marrë drejtimin e “Djajve të Kuq”, në rast se klubi vendos ta shkarkojë Michael Carrickun.
Sipas raportimeve të “Sky Sports” dhe “The Guardian”, Pochettino është i gatshëm ta dëgjojë ofertën e Manchester Unitedit dhe nuk e përjashton mundësinë e rikthimit në Premier League.
Megjithatë, marrëveshja nuk është e lehtë, pasi 54-vjeçari ka kontratë me përfaqësuesen e Shteteve të Bashkuara deri në vitin 2030. Klubit anglez do t’i duhej të paguante një klauzolë largimi prej rreth 7 deri në 7.5 milionë funte.
Drejtuesit e Unitedit pritet të vlerësojnë të ardhmen e Carrickut dhe alternativat për stolin gjatë ditëve në vijim.
Pochettino ka drejtuar më parë Tottenhamin, Chelsean dhe Paris Saint-Germainin, ndërsa Manchester Unitedi e ka pasur në radar edhe në të kaluarën.



