Xhudistët e Kosovës kërkojnë medalje në Zagreb

11 nëntor 2026 | 12:34

Prej të premtes deri të dielën, në Zagreb të Kroacisë do të mbahet gara Grand Prix e xhudos, ndërsa Kosova në këtë garë do të paraqitet me gjashtë xhudistë.

Te xhudistet garojnë Erza Muminoviq në kategorinë deri në 48 kilogramë, Fatjona Kasapi në kategorinë deri në 52 kilogramë dhe Flaka Loxha në kategorinë deri në 57 kilogramë.

Akil Gjakova dhe Dardan Cena garojnë në kategorinë deri në 73 kilogramë, ndërsa në kategorinë deri në 81 kilogramë për Kosovën do të paraqitet Luke Davies. Anglezi Davies, në fakt, debuton për Kosovën.

21-vjeçari deri më tani ka përfaqësuar Britaninë e Madhe dhe ka një karrierë solide. Ai ka shprehur dëshirën për ta zhvilluar më tej karrierën sportive duke iu bashkuar ekipit të Kosovës në xhudo. Gara në Zagreb do të jetë një test i mirë për të.

Për xhudistët kosovarë, në fakt, secila garë tashmë ka rëndësi të madhe. Ka filluar periudha kualifikuese për Lojërat Olimpike “Los Angeles 2028” dhe secila fitore ka peshë sa i përket grumbullimit të pikëve.

Akil Gjakova e kërkon paraqitjen e tretë në Lojëra Olimpike, ndërsa paraqitjen e parë në skenën më të madhe e synojnë Cena, Muminoviq, Kasapi dhe Loxha.

Medalja e artë në Grand Prix siguron 700 pikë në ranglistën botërore. Kosova në Zagreb do të jetë pa dy xhudistet më të mira, Distria Krasniqi dhe Laura Fazliu. Krasniqi është duke u rikuperuar nga një lëndim, ndërsa për Fazliun është vendosur që të pushojë.

 

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Lëndimi i kapitenit Granit Xhaka ka shqetësuar drejtuesit e Sunderlandit,…