Sveçla: Institucionet po dëshmojnë përkushtim dhe profesionalizëm në luftimin e çdo veprimtarie kriminale
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se institucionet e Kosovës po dëshmojnë profesionalizëm në luftimin e veprimtarive kriminale, përfshirë edhe rrjetet e trafikimit ndërkombëtar.
Ai është shprehur kështu pas arrestimit të një shtetasi gjerman në Gjilan, të cilit i janë sekuestruar 43 armë të gjata automatike.
“Një operacion i suksesshëm i Departamentit të Hetimeve të Policisë së Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale, ka rezultuar me arrestimin e një shtetasi gjerman dhe sekuestrimin e 43 armëve të gjata automatike. Institucionet tona po dëshmojnë përkushtim dhe profesionalizëm në parandalimin dhe luftimin e çdo veprimtarie kriminale, përfshirë rrjetet e trafikimit ndërkombëtar, që cenojnë sigurinë e qytetarëve tanë, të vendit tonë dhe më gjerë. Sundimi i ligjit nuk ka kompromis. Do të vazhdojmë me vendosmëri në luftimin e krimit të organizuar dhe garantimin e sigurisë për të gjithë qytetarët”, ka shkruar Sveçla.
Me urdhër të Prokurorisë Speciale, hetuesit e Policisë së Kosovës nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda kanë arrestuar një shtetas të Gjermanisë, L.S., nën dyshimin për përfshirje në veprimtari kriminale që lidhen me krimin e organizuar dhe trafikimin e kundërligjshëm të armëve.



