Baton Haxhiu promovon dy libra të rinj, sjell rrëfime dhe këndvështrime mbi historinë e Kosovës dhe luftën
Gazetari dhe publicisti Baton Haxhiu ka promovuar sonte dy librat e tij të rinj, përmes të cilëve trajton historinë e Kosovës, shpërbërjen e Jugosllavisë dhe përjetimet e luftës së viteve 1998–1999.
Bëhet fjalë për librat “Kosova: Historia që zhbëri Jugosllavinë“ dhe “Brenda Luftës: Kur ende nuk e dinim fundin, lufta në Kosovë përmes tridhjetë e katër rrëfimeve“, të botuar nga UET Press. Të pranishëm në këtë promovim ishim shumë figura të jetës publike. Në mesin e tyre ishe edhe ish-komandanti i UÇK-së, Fatmir Limaj, pastaj Blerim Shala, Ahmet Kurtolli, Henri Çili etj.
Përmes këtyre dy veprave, Haxhiu sjell një qasje publicistike dhe historike ndaj ngjarjeve që përcaktuan fatin e Kosovës, duke trajtuar zhvillimet politike, historike dhe njerëzore të një periudhe vendimtare për vendin.
Libri i parë fokusohet në rolin e çështjes së Kosovës në procesin e shpërbërjes së Jugosllavisë, ndërsa vepra e dytë përmbledh 34 rrëfime që lidhen me luftën në Kosovë, duke rikthyer në vëmendje përjetimet dhe dëshmitë nga ajo periudhë.
Promovimi u mbajt në Prishtinë, në Qendrën e Zhvillimit “Agim Lluka“, në Dukagjini Center.
Me këto dy botime, Baton Haxhiu i shton një dimension të ri angazhimit të tij publicistik, duke sjellë para lexuesve tema që lidhen me kujtesën historike, luftën dhe rrugëtimin politik të Kosovës.



