Kështu do të bëhet Teatri i Operës dhe i Baletit i Kosovës

11 nëntor 2026 | 08:40

E frymëzuar nga xhubleta shqiptare dhe e projektuar në bashkëpunim me studion e njohur daneze BIG – Bjarke Ingels Group, ndërtesa e ardhshme e Teatrit të Operës dhe Baletit të Kosovës synon të ndërthurë trashëgiminë kulturore me arkitekturën bashkëkohore.

Kompania ALB-Architect, pjesë e ekipit projektues, ka ndarë detaje nga prezantimi i ecurisë së projektit, duke e cilësuar atë si një nga veprat më të rëndësishme kulturore dhe arkitekturore të vendit.

Në qendër të konceptit qëndron një element i identitetit shqiptar: xhubleta. Sipas kompanisë, frymëzimi nga kjo veshje tradicionale e kthen trashëgiminë në pikënisje për një institucion që do t’u shërbejë brezave të ardhshëm.

“Në këtë projekt, trashëgimia jonë kombëtare merr formë përmes arkitekturës bashkëkohore. Një element i identitetit tonë kulturor shndërrohet në frymëzim për një institucion që do t’u shërbejë brezave të ardhshëm”, thuhet në njoftimin e ALB-Architect.

Kompania rikujton se mjeshtëria e punimit të xhubletës është përfshirë në vitin 2022 në trashëgiminë kulturore jomateriale të UNESCO-s.

Kompania vlerëson se Kosova ka nevojë për vepra që, krahas funksionit të tyre, shprehin ambicien, identitetin dhe vizionin e shtetit për të ardhmen.

Njoftimi përmbyllet me mesazhin që përmbledh vizionin e tyre për Operën e Kosovës: “Një shtet i ri, me rrënjë të lashta, që ndërton me guxim të ardhmen e tij.”

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Komisioni Hetimor Parlamentar për veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me…