Drama “Era” e Albana Mujës përurohet në Pragë
Shqipja dhe çekishtja janë bërë bashkë në një mbrëmje kushtuar artit, dramaturgjisë dhe letërsisë në Pragë, ku skenaristja, dramaturgja dhe pedagogia nga Kosova, Albana Muja, u paraqit para publikut çek si autorja e parë shqiptare, vepra e së cilës përkthehet në gjuhën çeke.
Në qendër të takimit ishte drama “Era”, e cila është përkthyer nga albanologu Jakub Tresnak, nën kujdesin dhe konsulencën shkencore të dr. Orkida Backus Borshit, udhëheqëse e Departamentit të Ballkanistikës në Universitetin e Karlit në Pragë, kurse në gjuhën shqipe dhe çeke është botuar nga “Armagedoni”.
Vepra trajton kujtesën, traumat e pasluftës dhe plagët njerëzore, duke sjellë përmes dramaturgjisë përvojat e shoqërisë së Kosovës në një rrëfim me dimensione universale.
Gjatë mbrëmjes të pranishmit patën mundësi të njihen më nga afër me krijimtarinë e autores, ndërsa bashkëbisedimi u shoqërua me interesim dhe shkëmbim mendimesh rreth veprës dhe tematikave që ajo trajton.
Përkthimi i dramës “Era” në gjuhën çeke shënon një hap të rëndësishëm për prezantimin e dramaturgjisë shqiptare në hapësirën kulturore çeke, duke bërë që historitë dhe përjetimet e Kosovës t’i kapërcejnë kufijtë gjuhësorë dhe të arrijnë te një audiencë e re.



