Xhevdet Bajraj: A guxoj ta prek me gisht Sarandën

10 nëntor 2026 | 09:02

Xhevdet Bajraj

Saranda Bogujevcit

Isha në Rockuzinë bar

me një mik të mirë

(ende dua të besoj

që e kam mik të mirë)

i cili po përpiqej ta shkruante

historinë e re të Kosovës

Dëgjohej muzikë me të cilën isha rritur

birra ishte e ftohtë ashtu si e do Zoti

rrugët e qytetit ishin përplot me njerëz

dielli i muzgut në Prishtinë

me forcat e fundit që i kishin mbetur

vazhdonte të buzëqeshte

Kur më pyeti miku

a po e njeh këtë vajzën e ulur pranë teje

mbeta i habitur

 

Është Saranda Bogujevci

e mbijetuara e masakrës së Besianës

 

Oh Zot

e mbaja mend vajzën

që i humbi katërmbëdhjetë anëtarë të familjes

vajzën e vogël

trupin e së cilës e kishin përshkuar

plot gjashtëmbëdhjetë plumba

por që kishin refuzuar

t’ia shuajnë jetën

 

Mbeta i ngrirë

duke e shikuar

gojëhapur

dhe e dëgjova veten

duke e pyetur mikun

A guxoj ta prek me gisht Sarandën

Ajo buzëqeshi

Ende pa ma kthyer përgjigjen

miku i habitur

e zgjata dorën dhe e preka në krahë

tmerrin

luftën

fluturimin e plumbave

granatave

lëvizjet e thikave

mbi civilë

 

I preka edhe sorrat e majmura

gjatë luftës

dhe si me pahir

edhe këto të majmura pasluftës.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Presidenti i Italisë, Sergio Mattarella, ka vlerësuar komunitetin arbëresh si…