Kurti në Irlandë: Duam të hyjmë në NATO dhe BE, por fillimisht na duhet statusi i vendit kandidat
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar mbështetjen e Irlandës për avancimin e Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke theksuar se vendi fillimisht duhet të marrë statusin e shtetit kandidat dhe të hapë negociatat për anëtarësim.
Kurti i ka bërë këto deklarata në Dublin, ku po merr pjesë në takimin e Komunitetit Politik Evropian (EPC), pas pritjes nga kryeministri irlandez, Micheál Martin.
Ai ka thënë se Irlanda përbën një shembull suksesi të integrimit dhe anëtarësimit në Bashkimin Evropian, ndërsa ka shprehur pritjet që Kosova të ketë mbështetjen e presidencës irlandeze.
“Republika e Kosovës gjithashtu dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian dhe në NATO, por për të arritur aty së pari duhet të marrim statusin e vendit kandidat dhe të hapim negociatat për anëtarësim. Ne llogarisim në presidencën irlandeze”, ka deklaruar Kurti.
Kryeministri i Kosovës e ka shfrytëzuar rastin për të falënderuar popullin irlandez për strehimin e më shumë se një mijë refugjatëve shqiptarë të Kosovës gjatë vitit 1999, të cilët ishin dëbuar nga vendi për shkak të luftës dhe dhunës së forcave serbe.
Ai gjithashtu ka falënderuar ushtarët dhe oficerët irlandezë që kanë shërbyer në kuadër të misionit të KFOR-it në Kosovë për më shumë se dy dekada e gjysmë.



