Komunat kërkojnë kompensimin e dëmeve në bujqësi, thonë se nuk ka pagesa që nga viti 2023

12 nëntor 2026 | 15:12

Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK), në bashkëpunim me Drejtorinë për Bujqësi të Komunës së Istogut, e cila mirëpriti takimin, organizoi takimin e Kolegjiumit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, ku u diskutuan problemet dhe nevojat e komunave në sektorin e bujqësisë dhe zhvillimit rural.

Çështja kryesore e diskutimit ishte mungesa e kompensimit të dëmeve të shkaktuara në bujqësi nga fatkeqësitë natyrore.

Përfaqësuesit e komunave shprehën shqetësimin se, që nga viti 2023, nuk është realizuar asnjë kompensim për dëmet e evidentuara dhe se kërkesat e paraqitura nga komunat ende nuk janë shqyrtuar përfundimisht.

Ata kërkuan sqarime për punën dhe funksionalitetin e Komisionit për vlerësimin e dëmeve, si dhe për hapat që do të ndërmerren për trajtimin e kërkesave të mbetura.

Rasti i Komunës së Istogut, me dëme të vlerësuara deri në 3 milionë euro, u theksua si tregues i përmasave të kësaj problematike dhe pamundësisë së komunave për t’i përballuar financiarisht dëmet e tilla.

Komunat kërkuan që kjo çështje të marrë vëmendjen e nevojshme të institucioneve qendrore, veçanërisht të Zyrës së Kryeministrit, dhe që të zhvillohen konsultime të drejtpërdrejta me komunat për të përcaktuar vlerën e përgjithshme të dëmeve dhe për të gjetur një zgjidhje konkrete për kompensimin e tyre.

U propozua gjithashtu që problematika të adresohet edhe pranë komisionit parlamentar përgjegjës.

Përveç kësaj, u trajtuan edhe dëmet e shkaktuara nga kafshët e egra, për të cilat u kërkua shqyrtimi i mekanizmave të kompensimit, mungesa e thirrjeve për grante dhe projekte të zhvillimit rural, mbështetja për rrugët fushore, si dhe shqetësimet e prodhuesve bujqësorë lidhur me trajtimin tatimor dhe eksportin e produkteve.

Në përfundim, u vlerësua se këto problematika kërkojnë angazhim më të madh institucional dhe koordinim ndërmjet nivelit qendror dhe komunave, në mënyrë që kërkesat legjitime të marrin zgjidhje konkrete dhe të sigurohet mbështetje më e qëndrueshme për sektorin e bujqësisë.

Në vijim të diskutimeve dhe shqyrtimit të kërkesave të komunave, AKK-ja do t’i adresojë këto shqetësime në nivel qendror përmes një shkrese zyrtare drejtuar ministrisë përkatëse, Zyrës së Kryeministrit dhe Komisionit Parlamentar përgjegjës.

Përmes saj do të kërkohet qartësi mbi statusin e kërkesave të komunave, punën e Komisionit për vlerësimin e dëmeve dhe masat e parapara për kompensimin e dëmeve në bujqësi.

Gjithashtu, do të kërkohet një takim i përbashkët me institucionet përgjegjëse dhe përfaqësuesit e komunave, me synim shqyrtimin e situatës dhe përcaktimin e hapave konkretë për zgjidhjen e kësaj çështjeje.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Një incident fizik është regjistruar brenda Burgut të Sigurisë së…