Kushner: Raundi i ardhshëm i bisedimeve Rusi-Ukrainë do të përfshijë Evropën

13 nëntor 2026 | 11:55

I dërguari i posaçëm i ShBA-së, Jared Kushner, ka thënë se Moska dhe Kievi janë pajtuar që në raundin e ardhshëm të bisedimeve të paqes mes Rusisë dhe Ukrainës të marrin pjesë edhe përfaqësues evropianë.

Në një deklaratë të publikuar të enjten vonë në platformën sociale amerikane X, Kushner ka përmbledhur negociatat që ka zhvilluar që nga e marta, së bashku me të dërguarin e posaçëm të ShBA-së, Steve Witkoff, në kuadër të përpjekjeve të ndërmjetësuara nga SHBA-ja për të gjetur një zgjidhje për luftën mes Rusisë dhe Ukrainës.

“Ne kemi bërë përparim domethënës në kuptimin e shqetësimeve të të dyja palëve, identifikimin e zgjidhjeve të mundshme dhe përcaktimin e një rruge përpara. Të dyja palët tani janë pajtuar që raundi i ardhshëm i negociatave të zgjerohet me përfshirjen e partnerëve tanë evropianë”, ka thënë Kushner.

Ai ka thënë se kjo do t’u mundësojë palëve të trajtojnë çështjet më të gjera të sigurisë evropiane pas luftës, krahas çështjeve territoriale mes Rusisë dhe Ukrainës.

“Përfundimi i luftës kërkon garanci të besueshme të sigurisë, mekanizma për parandalimin e përshkallëzimit dhe angazhime reciproke për uljen e tensioneve, të cilat zvogëlojnë rrezikun e konflikteve të ardhshme”, ka shtuar ai.

Bisedimet me Zelenskyn

Kushner ka deklaruar se është pajtuar me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, që të vazhdojnë kontaktet, përfshirë ato me ekipin negociator të Kievit. Ai ka rikonfirmuar se nuk do të përmbyllet asnjë marrëveshje më e gjerë për sigurinë evropiane pa u trajtuar shqetësimet e Ukrainës lidhur me sigurinë e saj.

“Ne do të fillojmë t’i diskutojmë këto çështje të ndërlidhura paralelisht, me mirëkuptimin se, përveç masave humanitare, asgjë nuk do të përmbyllet derisa të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse”, ka thënë Kushner.

Ai më tej ka thënë se po punojnë gjithashtu për shkëmbimin “më të madh” të të burgosurve gjatë luftës, i cili është bërë një nga rezultatet kryesore të raundit të fundit të bisedimeve të paqes mes Rusisë dhe Ukrainës, të ndërmjetësuara nga ShBA-ja në kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Abu Dhabi, të martën dhe të mërkurën.

Kushner ka shprehur shpresën se të dyja palët do të tregojnë vullnetin e mirë dhe seriozitetin e nevojshëm për realizimin e shkëmbimit, duke theksuar se pritet që së shpejti të bëhen të ditura linjat e negociatave, kalendari dhe hollësi të tjera.

“Presidenti Trump është i vendosur t’i japë fund kësaj lufte të tmerrshme. Mbeten dallime të konsiderueshme, por jemi të inkurajuar nga përparimi i arritur. Ne do të ndërmarrim çdo përpjekje të nevojshme diplomatike për të gjetur një përparim vendimtar që do t’i japë fund luftimeve”, ka shtuar ai.

Intensifikim i aktivitetit diplomatik

Deklarata e Kushnerit vjen pasi ai dhe Witkoff janë takuar me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, në kryeqytetin irlandez, Dublin, ku presidenti ukrainas ka mbërritur të mërkurën.

Të dërguarit amerikanë kanë fluturuar drejt Dublinit pasi janë takuar të enjten pasdite me presidentin rus, Vladimir Putin, në Moskë, ku kishin mbërritur në mëngjes pas pjesëmarrjes në bisedimet trepalëshe në Abu Dhabi.

Autoritetet ruse ende nuk i kanë komentuar deklaratat e Kushnerit.

Pas bisedimeve të së enjtes në Kremlin, ndihmësi i presidentit rus, Yury Ushakov, ka thënë se Moska shpreson që Evropa të mbështesë përpjekjet për të rënë dakord mbi parametrat e një arkitekture të re të sigurisë evropiane, të cilat, sipas tij, Rusia është e gatshme t’i diskutojë menjëherë “paralelisht” me SHBA-në.

Ushakov ka thënë në një deklaratë për gazetarët se, ndonëse Evropa po bën çdo përpjekje për t’u përfshirë në negociata, ajo duhet të vendosë nëse kërkon paqen apo vazhdimin e luftës.

“Deri më tani, të gjitha veprimet e tyre konkrete tregojnë këtë të fundit”, ka shtuar ai.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë të enjten se shkëmbimi…