19 vjet nga vrasja e Triumf Rizës, Prokuroria kërkon dënimin e “Lizës” dhe “Rrumqit”
Ka përfunduar shqyrtimi gjyqësor ndaj Ilir Abdullahut, i njohur si “Liza”, dhe Rrahim Abdullahut, i njohur si “Rrumqi”, të akuzuar për vrasjen e rëndë të zyrtarit policor Triumf Riza. Pas fjalëve përfundimtare të mbajtura më 13 nëntor në Gjykatën Themelore në Prishtinë, trupi gjykues e caktoi shpalljen e aktgjykimit për një datë tjetër, raporton Sinjali.
Prokuroria Speciale kërkoi që të dy të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen me burgim. Në fjalën përfundimtare, prokurorja iu referua dëshmitarit D2, i cili, sipas saj, kishte deklaruar se i kishte parë të dy të akuzuarit me thasë të mëdhenj të kuq dhe se kishte parë edhe tyta armësh. “Kjo lëndë u bë bajat”, tha Rrahim Abdullahu. Sipas tij, kthimi i çështjes tri herë në rigjykim është i keq edhe për shtetin. Ai kërkoi që, çfarëdo vendimi që të marrë gjykata, lënda të mos kthehet sërish në rigjykim. Abdullahu pretendoi se po akuzohet si pjesëmarrës pa fakte. Ilir Abdullahu, ndërkaq, tha se ka kaluar rreth tre vjet e gjysmë në paraburgim dhe se gjatë kësaj kohe është zgjuar nga gjumi me ndërgjegje të pastër.
Triumf Riza u vra më 30 gusht 2007 në Prishtinë. Sipas aktakuzës, Ilir dhe Rrahim Abdullahu akuzohen se morën pjesë në vrasje në bashkëkryerje me Arben Berishën, Fitim Avdiun dhe Enver Sekiraqën. Prokuroria pretendon se motivi ishte hakmarrja pas një përleshjeje të mëhershme mes Rizës dhe Sekiraqës.



