KPK-ja shpall konkurs për katër prokurorë në Speciale, kërkesa ishte për shtatë
Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka vendosur të shpallë konkurs për avancimin e katër prokurorëve në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës. Konkursi do të hapet më 17 nëntor dhe do të qëndrojë i hapur për 15 ditë.
Vendimi është marrë në mbledhjen e KPK-së, pas kërkesës së ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Dren Paca, i cili kishte kërkuar shtatë prokurorë shtesë. Megjithatë, pas shqyrtimit të gjendjes së përgjithshme në sistemin prokurorial, është propozuar që kërkesa të miratohej pjesërisht, përkatësisht për katër pozita.
Propozimi ka marrë pesë vota për, asnjë kundër dhe dy abstenime.
Kryesuesi i KPK-së, Arian Gashi, ka thënë se ndryshimet ligjore kanë zgjeruar kompetencat e Prokurorisë Speciale, duke ndikuar në rritjen e numrit të lëndëve që trajtohen nga ky institucion. Sipas tij, pavarësisht ngarkesës së shtuar, kapacitetet njerëzore vazhdojnë të jenë të pamjaftueshme.
“Me ndryshimet e ligjit për Prokurorinë Speciale është zgjeruar kompetenca e kësaj prokurorie, gjë e cila ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e numrit të lëndëve të pranuara dhe të trajtuara dhe se kjo rritje është reflektuar edhe në raporte statistikore, ndërkohë që kapacitetet njerëzore kanë mbetur të pamjaftueshme për përballimin e ngarkesës aktuale. Duke marrë parasysh situatën në Prokurorinë Speciale pa i dëmtuar edhe prokuroritë e tjera, vlerësojmë që shpallja për avancim do të mund të bëhej në katër pozita dhe jo në shtatë”, ka thënë ai.
Gashi ka theksuar se mungesa e prokurorëve nuk është problem vetëm i Prokurorisë Speciale, por i të gjithë sistemit prokurorial, veçanërisht i prokurorive themelore.
Ai ka bërë të ditur se aktualisht është duke u zhvilluar procesi i rekrutimit për 27 pozita të prokurorëve, por ka vlerësuar se nevojiten edhe kapacitete të tjera shtesë për përballimin e ngarkesës me lëndë.
“Gjendjen që e kemi në të gjitha prokuroritë nuk e kemi mirë, duke marrë parasysh faktin sidomos në prokuroritë themelore në departamentin e përgjithshëm askund nuk e kemi gjendjen mirë, diku e kemi keq e diku keq e më keq, për shkak mungesës të madhe të prokurorëve në sistem, ne jemi në proces të rekrutimit të 27 pozitave që i kemi të prokurorëve, kemi kaluar fazën e parë. E konsideroj shumë urgjente që të kemi prokurorë të tjerë shtesë jo vetëm këta që i kemi në proces”, ka thënë ai.
Ndërkaq, kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, është pajtuar me nevojën për shtimin e kapaciteteve në Prokurorinë Speciale, por ka theksuar rëndësinë e kujdesit gjatë procesit të avancimit, duke marrë parasysh gjendjen në prokuroritë e tjera dhe procesin e pranimit të prokurorëve të rinj.
Ai ka thënë se dinamika e punës në Prokurorinë Speciale ka ndryshuar dhe se trajtimi i rasteve, përfshirë ato që kërkojnë bashkëpunim vendor dhe ndërkombëtar, e bën të domosdoshëm shtimin e numrit të prokurorëve.
“Pajtohem në argumentet e u.d të kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, por edhe ato arsyeshmëritë që dhatë. Është e vërtetë që duhet të jemi të kujdesshëm sa i përket avancimeve, sidomos në kohën e pranimit të prokurorëve të rinj. Gjendja nuk është e mirë sa i përket kapaciteteve apo numrit të prokurorëve dhe seancat që kanë… Unë jam konsultuar dhe jam në konsultim me ushtruesin e detyrës, dinamika e zhvilluar në Prokurorinë Speciale është krejt ndryshe dhe një frymë krejt ndryshe dhe sa i përket bashkëpunimit në shumë raste nivel vendi dhe ndërkombëtare janë disa raste që duhet trajtim dhe domosdoshmëri sa i përket numrit të prokurorëve”, ka thënë Gashi.
Me vendimin e KPK-së, Prokurorisë Speciale do t’i hapet mundësia për shtimin e katër prokurorëve përmes avancimit.



