KPK-ja miraton Rregulloren për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, hyn në fuqi nga sot

13 nëntor 2026 | 11:43

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka miratuar Rregulloren për Mbrojtjen e të Dhënave Personale në Sistemin Prokurorial. Për këtë pikë votuan shtatë anëtarë për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, ndërsa rregullorja hyn në fuqi nga dita e sotme.

Gjatë mbledhjes, anëtari i KPK-së, Visar Krasniqi, ka prezantuar draft-rregulloren, duke bërë të ditur se ajo ka kaluar të gjitha fazat e parapara të konsultimit publik, përfshirë edhe dëgjimin publik, si dhe se janë shqyrtuar komentet e pranuara nga OSBE-ja.

“Draft-rregullorja ka kaluar të gjitha fazat e parapara të konsultimit publik, por ka kaluar edhe dëgjimin publik. Komentet i kemi pranuar nga OSBE-ja, të cilat i kemi shqyrtuar dhe janë diskutuar gjatë trajtimit në Komision. Ato që kanë pasur bazë, natyrisht që janë përfshirë”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka shpjeguar se rregullorja është hartuar për herë të parë në sistemin prokurorial, duke sqaruar bazën ligjore dhe qëllimin e saj.

“Rregullorja nxirret në bazë të nenit 7, paragrafit 1 të Ligjit për Këshillin Prokurorial dhe nenit 40 të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Kjo rregullore është hartuar për herë të parë në sistemin prokurorial. Qëllimi i hartimit të kësaj rregulloreje ka qenë përcaktimi i parimeve, rregullave, procedurave, përgjegjësive dhe masave teknike e organizative për mbrojtjen e të dhënave personale gjatë përpunimit, ruajtjes, përdorimit, shkëmbimit dhe transferimit të tyre nga institucionet e sistemit prokurorial, pra nga KPK-ja, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, përfshirë Zyrën për Mbrojtjen e Viktimave, si dhe nga të gjithë prokurorët. Po ashtu, përmes dispozitave të kësaj rregulloreje synohet garantimi i mbrojtjes së të dhënave dhe lirive themelore të njeriut, të personave fizikë, në lidhje me përpunimin e të dhënave personale, në pajtim me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale”, ka deklaruar ai, raporton “Ekonomia Online”.

Krasniqi më pas ka prezantuar përmbajtjen e rregullores, duke bërë të ditur se ajo përbëhet nga 42 nene, të ndara në 10 kapituj, ndërsa ka veçuar parimet dhe bazën ligjore për përpunimin e të dhënave.

“Shkurtimisht po ju paraqes përmbajtjen e disa neneve. Kjo rregullore përmban 42 nene, të ndara në 10 kapituj, dhe do të veçoja shkurtimisht parimet dhe bazën ligjore për përpunimin, ku përcaktohet se sistemi prokurorial përpunon të dhënat personale vetëm kur ekziston baza ligjore, në mënyrë të ligjshme, proporcionale dhe vetëm për qëllime specifike, duke respektuar njëkohësisht nevojën për ruajtjen e hetimit penal”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka folur edhe për të drejtat që do t’u garantohen personave, të dhënat personale të të cilëve përpunohen nga sistemi prokurorial, duke sqaruar se në cilat raste mund të ketë kufizime në realizimin e tyre.

“Sa i përket të drejtave të subjekteve të të dhënave, rregullohet e drejta e informimit, e qasjes, e korrigjimit, e fshirjes, e kufizimit të përpunimit dhe kundërshtimit, si dhe procedura për realizimin e tyre. Këto të drejta mund të realizohen vetëm në raste të përcaktuara me ligj, kur kjo është e domosdoshme për mbrojtjen e hetimit penal, sigurisë publike ose interesit publik”, është shprehur ai.

Një pjesë tjetër e rregullores ka të bëjë me caktimin e zyrtarëve përgjegjës për mbrojtjen e të dhënave personale në institucionet e sistemit prokurorial.

“Po ashtu, lidhur me zyrtarët për mbrojtjen e të dhënave personale, krijohet një rrjet i zyrtarëve në të gjithë sistemin: në Këshill caktohet një Zyrtar për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (ZMDP) nga Këshilli, në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, ndërsa në prokurori nga kryeprokurori i prokurorisë përkatëse. Zyrtari i Këshillit, në koordinim me koordinatorin, monitoron zbatimin e rregullores dhe bashkëpunon me Agjencinë për Informim dhe Privatësi”, ka theksuar Krasniqi.

Duke folur për mekanizmat e llogaridhënies dhe mbikëqyrjes, ai ka bërë të ditur se institucionet do të kenë obligime të veçanta për dokumentimin dhe kontrollimin e mënyrës së përpunimit të të dhënave.

“Sa i përket mjeteve të llogaridhënies: çdo institucion obligohet të mbajë regjistër të aktivitetit të përpunimit, parashikohen auditime periodike, si dhe vlerësimi i ndikimit para çdo përpunimi që paraqet rrezik të lartë për të drejtat e personave. Masat e sigurisë përfshijnë: kontrollin e qasjes, autentifikimin, kopjet rezervë, rregullat për përdorimin e postës elektronike zyrtare, pajisjeve, portaleve, dokumenteve fizike, mbikëqyrjen me kamera, si dhe fjalëkalimet dhe kredencialet individuale”, ka deklaruar ai.

Krasniqi ka folur edhe për mënyrën se si do të trajtohen të dhënat që publikohen ose komunikohen jashtë institucioneve prokuroriale, përfshirë ato që u përcillen mediave dhe shoqërisë civile.

“Lidhur me anonimizimin dhe publikimin: çdo e dhënë që tregohet jashtë institucionit, përfshirë mediat dhe shoqërinë civile, anonimizohet. Publikimi i aktakuzave, njoftimeve për media dhe vendimeve bëhet vetëm pas anonimizimit, duke respektuar prezumimin e pafajësisë, mbrojtjen e fëmijëve, viktimave të dhunës në familje, dhunës seksuale dhe viktimave të tjera me ndjeshmëri”, ka thënë Krasniqi.

Në prezantimin e tij, ai është ndalur edhe te mbrojtja e të dhënave të personelit, duke theksuar se rregullorja përcakton mënyrën e përpunimit të të dhënave të prokurorëve, bashkëpunëtorëve profesionalë dhe stafit administrativ, si dhe ndalon keqpërdorimin e tyre.

“Për mbrojtjen e të dhënave të personelit, rregullohet përpunimi i të dhënave të prokurorëve, bashkëpunëtorëve profesionalë dhe stafit administrativ, duke ndaluar përdorimin e tyre për qëllime private, politike apo diskriminuese”, ka theksuar ai.

Po ashtu, Krasniqi ka sqaruar se rregullorja përcakton edhe obligimet e institucioneve në rastet e incidenteve që mund të cenojnë sigurinë e të dhënave personale, si dhe përgjegjësitë që mund të pasojnë në rast të shkeljeve.

“Për incidentet, ruajtjen dhe azhurnimin: përcaktohet detyrimi për raportim të menjëhershëm të incidenteve, afatet e ruajtjes dhe mënyra e dokumentuar e azhurnimit të të dhënave, ndërsa shkelja e dispozitave sjell përgjegjësi disiplinore, administrative apo penale”, ka deklaruar Krasniqi.

Në përfundim të prezantimit, ai ka theksuar se mbrojtja e të dhënave personale ka rëndësi të veçantë për sistemin prokurorial, për shkak të natyrës së punës dhe ndjeshmërisë së informatave që trajtohen nga ky sistem.

“Prandaj, të nderuar kolegë, sistemi prokurorial, për shkak të natyrës së punës, është ndër institucionet që përpunojnë të dhënat më të ndjeshme të qytetarëve. Për këtë arsye, besimi i publikut në sistem nuk varet vetëm nga efikasiteti në ndjekjen penale, por edhe nga mënyra se si i ruajmë dhe i mbrojmë të dhënat”, ka përfunduar Krasniqi.

Pas prezantimit, rregullorja është hedhur në votim dhe është miratuar me shtatë vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Ajo hyn në fuqi nga sot.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Mbrëmë, ish-presidentja Vjosa Osmani, tash deputete e LDK-së, ka sulmuar…