Në Strugë u përurua romani “Revolta e Syzifit” i Bardhyl Mahmutit
Në një atmosferë të veçantë kulturore dhe me interesim të shumë pjesëmarrësve, sonte në Strugë u përurua romani “Revolta e Syzifit” i autorit Bardhyl Mahmuti.
Përurimi u organizua nga Qendra Gjenocidi në Kosovë “Plagë e hapur”, në bashkëpunim me Komunën e Strugës dhe Hotelin “Ëmbla”.
Për romanin dhe rëndësinë e tij letrare e tematike folën autori Bardhyl Mahmuti, kryepersonazhi i romanit, Fadil Muqolli, kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, si dhe kryetari i Shoqatës së ish-të Burgosurëve Politikë për Maqedoni të Veriut, Shpëtim Pollozhani.
Pjesëmarrja e vet kryepersonazhit të romanit, Fadil Muqollit, i dha këtij përurimi një dimension të veçantë, duke krijuar një lidhje të drejtpërdrejtë ndërmjet rrëfimit letrar dhe përvojës njerëzore që qëndron në themel të tij.
Përmes këtij takimi, Struga u bë një tjetër pikëtakim i letërsisë, kujtesës dhe reflektimit mbi ngjarjet dhe përvojat që kanë lënë gjurmë në historinë tonë kolektive.

Përurimi i romanit “Revolta e Syzifit” dëshmoi edhe një herë rëndësinë e librit si hapësirë e rrëfimit, e kujtesës dhe e komunikimit me lexuesin, si dhe rolin që kanë veprimtaritë e tilla në gjallërimin e jetës kulturore shqiptare.
Autori Bardhyl Mahmuti tha se “dhimbjen ne shqiptarët e kemi të përbashkët dhe atë duhet ta kujtojmë çdoherë dhe duhet t’i nderojmë sakrificat e të gjitha familjeve dhe çlirimtarëve”.
Kryepersonazhi i romanit të tij, Fadil Muqolli, i falënderoi të pranishmit dhe organizatorët për nderin që i bënë sonte dhe porositi që duhet të luftojmë me mish e shpirt kundër harresës.

Kryetari i Strugës, zoti Qyra, tha se qyteti që udhëheq ai vazhdimisht po merr tiparet e një qyteti kulturor dhe letrar dhe se ndihet i nderuar që këtë herë po bashkëveprojnë me Qendrën “Plagë e hapur” për të përuruar romanin e Bardhyl Mahmutit dhe se veprimtari të tilla do të organizojnë vazhdimisht.
Ndërkaq veprimtari Pollozhani tha se kjo vepër letrare e Bardhylit sa më parë duhet të futet në programet e shkollave si lektyrë.

Para fillimit të përurimit, për pjesëmarrësit u shfaq një dokumentar për masakrën në Poklek të Vjetër dhe u dëgjua kënga “Ne nuk harrojmë”, kushtuar të gjitha viktimave të rëna gjatë luftës së fundit në Kosovë.




