Edi Rama kërkon përjashtimin e Elisa Spiropalit nga PS-ja
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka kërkuar përjashtimin e Elisa Spiropalit nga Partia Socialiste, gjatë një mbledhjeje të zhvilluar me dyer të mbyllura, ku ka folur për atë që e ka cilësuar si “familja e PS-së”.
Sipas raportimeve, Rama ka kërkuar që çështja e Spiropalit t’i nënshtrohet votimit të anëtarësisë, me synimin që ajo të mos jetë më pjesë e strukturave të kësaj partie.
Kjo kërkesë vjen pas përplasjeve të fundit politike dhe qëndrimeve publike të Spiropalit, e cila ditë më parë publikoi një fotografi të gjeneruar me inteligjencë artificiale, ku shfaqej në imazhin e revolucionarit kuban Che Guevara. Krahas fotografisë, ajo kishte shkruar: “Thanë puçi dështoi, por unë sapo kam nisur”, një mesazh që u interpretua si ironi ndaj deklaratave të Ramës për kundërshtarët brenda pushtetit.
Në të njëjtën mbledhje, sipas raportimeve, është kërkuar edhe ndëshkimi i deputetit Plarent Ndreca, pas përplasjes së tij publike me kryeministrin.
Ndreca, i cili është pjesë e ekipit ligjor mbrojtës të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka rrëfyer më herët për një telefonatë me tone të tensionuara dhe fyerje nga ana e Ramës. Sipas tij, kryeministri e kishte akuzuar se po ndikonte në distancimin politik të Veliajt prej tij.
Ndërkaq, për rastin e Erion Veliajt, Rama mësohet të jetë shprehur se nuk do të kërkojë përjashtimin e tij apo masa të tjera ndëshkimore, duke e cilësuar situatën me shprehjen se i ka “duart e lidhura”.
Zhvillimet e fundit po pasqyrojnë tensionet brenda Partisë Socialiste, ndërsa kërkesa për përjashtimin e Spiropalit pritet të jetë një nga çështjet më të diskutuara në raportet e brendshme të kësaj force politike.



