Gerxhaliu: Inflacioni në Kosovë nuk e pasqyron plotësisht barrën ekonomike të qytetarëve
Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gerxhaliu, ka ngritur shqetësimin për dallimin ndërmjet inflacionit zyrtar dhe kostos reale të jetesës me të cilën përballen qytetarët në Kosovë.
Në një postim në “Facebook”, Gerxhaliu ka theksuar se statistikat e inflacionit mund të jenë matematikisht të sakta, por jo gjithmonë e pasqyrojnë plotësisht realitetin ekonomik të familjeve kosovare.
Ai ka shpjeguar se ndikimi i inflacionit ndryshon varësisht nga të ardhurat dhe struktura e shpenzimeve familjare. Sipas tij, familjet me të ardhura të ulëta shpenzojnë pjesën më të madhe të buxhetit për ushqim, energji, banim dhe transport, prandaj rritja e çmimeve të këtyre produkteve dhe shërbimeve i prek më shumë ato.
Gerxhaliu ka vlerësuar se inflacioni duhet të analizohet jo vetëm përmes përqindjeve zyrtare, por edhe në raport me pagat, pensionet, të ardhurat familjare dhe fuqinë blerëse të qytetarëve.
Në fund, ai ka theksuar se ekonomia nuk matet vetëm me shifra statistikore, por edhe me atë se sa mund të blejë një qytetar me të ardhurat e tij.



