Ish-presidenti amerikan Bill Clinton merr pjesë në të pamet për Osman Osmanin në Nju-Jork
Nju-Jork – Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, ishte në mesin e personaliteteve të shumta që morën pjesë në pritjen për ngushëllime të organizuar nga familja Osmani, në nderim të të ndjerit Osman Osmani, i cili ndërroi jetë më 18 tetor në Prishtinë.
Pritja për ngushëllime u mbajt më 15 nëntor, në Royal Regency Hotel, në Yonkers të Nju-Jorkut, ku familjarë, miq, bashkëpunëtorë dhe përfaqësues të komunitetit shqiptaro-amerikan u mblodhën për të nderuar kujtimin e Osman Osmanit.
Që nga orët e para të mëngjesit, qindra bashkatdhetarë, miq dhe bashkëpunëtorë të të ndjerit, në grupe të shumta, pritën në radhë për t’i shprehur ngushëllimet familjes Osmani. Pjesëmarrja e jashtëzakonshme dëshmoi respektin dhe vlerësimin e madh që Osmani gëzonte në mesin e komunitetit shqiptar në Amerikë.
Ndër të pranishmit ishte edhe ish-presidenti amerikan Bill Clinton, i cili me të ndjerin Osman Osmani kishte ndërtuar ndër vite një miqësi të veçantë dhe një marrëdhënie të ngushtë respekti të ndërsjellë.
Clinton e njihte Osman Osmanin prej shumë vitesh dhe e vlerësonte lart miqësinë me të dhe familjen e tij. Gjatë viteve, Osmani kishte qenë vazhdimisht pranë tij, duke e informuar dhe bashkëbiseduar për zhvillimet në Kosovë, si para ashtu edhe pas luftës, si dhe për përpjekjet dhe aspiratat e popullit shqiptar.
Gjatë qëndrimit në të pame, ish-presidenti Clinton shprehu dhimbjen e thellë për humbjen e mikut dhe fqinjit të tij të mirë. Ai e cilësoi vdekjen e Osman Osmanit si humbje personale, duke e kujtuar atë si mik të çmuar, veprimtar të përkushtuar, filantrop dhe ndërmarrës të shquar.
Clinton qëndroi për më shumë se një orë në mesin e familjarëve dhe të pranishmëve, ku shprehu ngushëllimet e tij të sinqerta për vajzat e të ndjerit, Luljeta, Vali dhe Boni, për vëllezërit Hasani dhe Esati, si dhe për mbarë komunitetin shqiptar.
Në këtë ceremoni morën pjesë edhe shumë personalitete të njohura të komunitetit shqiptaro-amerikan, veprimtarë të çështjes kombëtare, përfaqësues institucionalë, miq të familjes dhe bashkëpunëtorë të të ndjerit.
Në mesin e tyre ishin ambasadori i Kosovës, Blerim Reka, ish-kryetari i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, Joe DioGuardi, së bashku me Shirley DioGuardi, veprimtari Jim Xhema, deputeti Vedat Gashi, veprimtari Hajdar Bajraktari, kryetari i Federatës Vatra, Elmi Berisha, drejtori ekzekutiv i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, Agim Aliçkaj, chaplaini i Policisë së qytetit të Nju-Jorkut, dr. Tahir Kukaj, sekretari i Qendrës Islame Shqiptaro-Amerikane, Ferid Bedrolli, imami Edin ef. Gjoni, si dhe shumë personalitete të tjera të komunitetit shqiptar.
Të pranishmit kujtuan me emocione jetën dhe veprimtarinë e Osman Osmanit, përkushtimin e tij të palodhshëm ndaj Kosovës dhe kontributin e çmuar në organizimin, përfaqësimin dhe forcimin e komunitetit shqiptaro-amerikan.
Në emër të familjes, vajza Luljeta dhe vëllai Hasani falënderuan të gjithë të pranishmit për ngushëllimet, respektin dhe nderimin e treguar. Ata shprehën zotimin se do ta ruajnë dhe vazhdojnë rrugën, vlerat dhe amanetin e Osman Osmanit.
Osman Osmani do të kujtohet si veprimtar i përkushtuar, atdhetar i shquar, njëri ndër themeluesit e Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, lobist i çështjes kombëtare, filantrop dhe ndërmarrës i suksesshëm.
Ai la gjurmë të pashlyeshme në jetën e komunitetit shqiptaro-amerikan dhe në përpjekjet e vazhdueshme për sensibilizimin dhe avancimin e çështjes së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.




