Konsulli Vigan Berisha falënderon nënë Qamën për dhuratën e veçantë: Këtë bluzë do ta ruaj me një ndjenjë të veçantë
Në kuadër të manifestimit përkujtimor kushtuar heronjve të kombit, Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, me rastin e 37-vjetorit të rënies së tyre, nëna Qamë, nëna e heroit Afrim Zhitia, i bëri një dhuratë simbolike Konsullit të Republikës së Kosovës në Cyrih, Vigan Berisha.
Në shenjë respekti dhe mirënjohjeje, nëna Qamë i dhuroi konsullit një bluzë me emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe fotografinë e heroit Afrim Zhitia. Një dhuratë kjo me vlerë të veçantë emocionale dhe kombëtare, që bart në vete kujtimin, krenarinë dhe sakrificën e një familjeje që i dha shumë Kosovës.
Konsulli Vigan Berisha, përmes një mesazhi falënderues, shprehu mirënjohjen e tij të thellë për këtë gjest të veçantë nga nëna e heroit.
“Nuk ka dhuratë më të çmuar për mua sesa ajo që vjen nga duart e një nëne të heroit. Nëna Qamë, këtë bluzë do ta ruaj me një ndjenjë të veçantë, sepse bashkë me të mora edhe një pjesë të kujtimit, krenarisë dhe sakrificës së birit tuaj, Afrim Zhitia.
Faleminderit nga zemra, Nëna Qamë!”, ka shkruar Konsulli Vigan Berisha.
Ky gjest simbolik ishte një nga momentet më domethënëse të manifestimit përkujtimor, duke dëshmuar se kujtimi dhe respekti për heronjtë e kombit përcillet ndër breza dhe mbetet i gjallë në zemrat e atyre që çmojnë lirinë dhe sakrificën për atdheun.



