A po rrezikohen seriozisht Lojërat Mesdhetare, Rama: Çështja është serioze
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka folur lidhur me organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.
Në emisionin “DPT te Fidani” në Klan Kosova, ai tha se Qeveria është përfshirë në këtë proces vetëm pasi është marrë vendimi që këto lojëra të organizohen në Kosovë.
Sipas tij, nga ekzekutivi nuk kanë besuar se për Kosovën do të votonin edhe shtetet që nuk e kanë njohur pavarësinë e vendit tonë.
“Për të qenë nikoqir i Lojërave Mesdhetare ‘Prishtina 2030’, është bërë një punë monumentale nga Komiteti Olimpik dhe ne kemi ndihmuar aq sa kemi mundur nga Kryeqyteti. Një iniciativë fenomenale, të cilën Qeveria atëherë nuk ka besuar se do ta fitojmë, sepse nuk besonin që edhe shtetet që nuk na kanë njohur si shtet do të votonin për ne. Vetëm kur u krye kjo punë, iu bashkëngjitën procesit”, u shpreh Rama.
Ai theksoi se në dhjetor do të mbahet takimi i Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG) në Athinë, ku, sipas tij, do të dëshmohet se janë detyrat e Qeverisë ato që nuk janë përmbushur.
Rama tha se detyrat e Kryeqytetit janë përmbushur në tërësi.
“Çështja më serioze është anulimi i takimit, normalisht, për mbrojtjen e Lojërave Mesdhetare dhe, natyrisht, jemi duke shkuar drejt humbjes. Takimi i ICMG-së do të mbahet në dhjetor, ku edhe do të merret vendimi. T’i zgjidhim këto probleme, të shkojmë në takim në Athinë dhe t’u tregojmë se të gjitha detyrat që ata ia kanë caktuar Qeverisë janë përmbushur, sepse ne, si Kryeqytet, i kemi përmbushur të gjitha detyrat që kemi pasur. Ka qenë te Qeveria dhe hezitimi i saj për përmbushjen e detyrave të vitit 2023. Jo vetëm që detyrat nuk janë kryer brenda afatit të kërkuar, por është kërkuar edhe pagesa, përkatësisht financimi i ICMG-së, që është pjesë kontraktuale, dhe as atë nuk e kanë paguar. Por edhe më keq, përkundër faktit që fillimisht nuk u kanë kthyer përgjigje dhe nuk u është dukur çështje serioze, më pas kemi marrë emailin e tyre të dytë…”, u shpreh Rama.



