“Rruga A” hapet javën e ardhshme

17 nëntor 2026 | 22:32

“Rruga A” në Prishtinë pritet të lëshohet në qarkullim gjatë javës së ardhshme. Por, zvarritja e punimeve për më shumë se tre vjet e gjysmë ka shkaktuar pakënaqësi të shumta. Opozita në komunë kërkon hetime për mënyrën e menaxhimit të projektit. Ndërsa vetë Komuna thotë se investimi është pothuajse i përfunduar dhe se gjatë realizimit janë përballur me sfida e bllokada.

Rruga A në Prishtinë pritet të lëshohet në qarkullim gjatë javës së ardhshme. Kështu kanë bërë të ditur nga Komuna e Prishtinës, duke njoftuar se projekti është pothuajse i përfunduar.

Në një përgjigje me shkrim për RTK, drejtoresha e Investimeve Kapitale, Zyhrije Pllana, ka thënë se ky investim do të ndikojë në lehtësimin e qarkullimit të automjeteve, lëvizjen e këmbësorëve dhe përmirësimin e jetës së përditshme të banorëve.

Pllana ka pranuar se gjatë realizimit janë përballur me sfida, vështirësi dhe bllokada, por ka theksuar se projekti po merr formën përfundimtare dhe po realizohet në përputhje me standardet e parapara.

Megjithatë, zvarritja e punimeve ka nxitur pakënaqësi te qytetarët, të cilët thonë se vonesat ua kanë vështirësuar qarkullimin dhe lëvizjen e përditshme.

“Rruga është krejt e përfunduar, por nuk po e lëshojnë. S’kemi as kah të lëvizim. Edhe për kanalizimin në rrugën e sipërme, tash e katër vjet nuk kanë ardhur ta rregullojnë”, tha një qytetar.

“Po të kishin dashur, do ta kishin lëshuar, por nuk i kanë ndarë paratë. Kush punon pa para?”, u shpreh një qytetar tjetër.

“Punët po ecin shumë ngadalë, por arsyen nuk e di”, tha një tjetër qytetar.

Përveç pakënaqësive të qytetarëve, realizimi i projektit është shoqëruar edhe me akuza për parregullsi. Nga Lëvizja Vetëvendosje në Prishtinë kërkojnë që Prokuroria të hetojë mënyrën e menaxhimit të këtij investimi.

“Kemi keqpërdorime të mëdha, që unë mendoj që Prokuroria duhet me i hetu të gjitha, kemi ndërprerje të kontratës, vazhdim të kontratës edhe askush s’ka dhënë kurrfarë shpjegimi”, tha Enver Redenica nga VV.

Punimet për Rrugën A nisën në vitin 2023, por projekti u përcoll me vonesa dhe ndërprerje të vazhdueshme.

Rruga A, një nga projektet kryesore infrastrukturore në kryeqytet, është përballur me vonesa në realizim. Ky projekt, i cili ka nisur në vitin 2023 e disa herë është pezulluar, ende nuk është përuruar.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Qeveria e Kosovës ka miratuar dy projektligje për ratifikimin e…