Siguria energjetike e Kosovës nuk mund të ndërtohet vetëm me vendime politike
Shkruan: Safet Gërxhaliu
Kosova nuk mund ta ndërtojë sigurinë energjetike vetëm duke ndaluar tregtinë me një shtet apo me kompani të caktuara. Ajo duhet ta ndërtojë atë duke prodhuar më shumë energji, duke investuar në teknologji, duke diversifikuar furnizimin dhe duke krijuar një treg konkurrues e të qëndrueshëm.
Ndalimi i tregtimit me kompanitë serbe mund të jetë një instrument i politikës ekonomike dhe energjetike, por ai nuk e zgjidh vetvetiu deficitin e prodhimit vendor.
Kosova duhet të sigurojë rrugë alternative të furnizimit, të forcojë kapacitetet ndërkufitare me vendet e tjera dhe të mos lejojë që kufizimet politike dhe tregtare të kthehen në krizë të përsëritur për qytetarët dhe bizneset.
Për këtë arsye, paralelisht me vendimin për kompanitë serbe, Qeveria duhet të shpjegojë se si do të garantohet furnizimi gjatë periudhave të kërkesës së lartë, sidomos kur njësitë prodhuese vendore janë në remont ose jashtë funksionit.
Edhe masat emergjente të miratuara nga Qeveria për furnizimin me energji, për një periudhë 60-ditore, si dhe obligimi publik i KEK-ut për sigurimin e kapaciteteve ndërkufitare për muajin dhjetor, duhet të shoqërohen me llogaridhënie dhe transparencë mbi kostot dhe rezultatet.
Kosova ka nevojë për strategji afatgjatë, jo vetëm për reagime emergjente
Dalja nga kjo gjendje kërkon një program kombëtar me financim, afate dhe përgjegjësi publike si rehabilitimin dhe modernizimin e koordinuar të njësive ekzistuese, përcaktimin e së ardhmes së termocentralit „Kosova A”, përzgjedhjen dhe ndërtimin e kapaciteteve të reja prodhuese, përshpejtimin e investimeve private në energjinë diellore dhe atë të erës, zhvillimin e baterive dhe sistemeve të ruajtjes së energjisë, përforcimin e rrjetit dhe kapaciteteve të interkoneksionit me vendet e rajonit, diversifikimin e burimeve të furnizimit dhe shqyrtimin e mundësive të reja teknologjike etj.
Konsensusi politik duhet të garantojë vazhdimësinë e investimeve, sepse energjia nuk mund të trajtohet vetëm si çështje e një mandati qeverisës.
Pasuria e madhe nëntokësore, potenciali i diellit dhe i erës dhe pozita gjeografike e Kosovës duhet të shndërrohen në avantazh ekonomik.
Përndryshe, çdo krizë e re energjetike do të vazhdojë të na kujtojë se problemi nuk është mungesa e resurseve, por mungesa e investimeve në kohë, e planifikimit afatgjatë dhe e vendimeve strategjike.
Energjia nuk është vetëm çështje teknike. Ajo është çështje e sigurisë kombëtare, e zhvillimit ekonomik dhe e mirëqenies së qytetarëve



