Lushaku-Sadriu: Qëndrimi ynë për Ligjin për Specialen është i pandryshueshëm
Shefja e grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku-Sadriu, ka deklaruar se ende nuk ka informacione se si do të vazhdohet me trajtimin e pikave të mbetura në Kryesinë e Kuvendit, pas ndërprerjes së punimeve.
Duke folur për Ligjin për Dhomat e Specializuara, ajo ka thënë se LDK-ja ka qëndrim të qartë kundër këtij ligji, duke theksuar se argumentet e saj i ka paraqitur disa herë.
“Jo, nuk kemi informacion dhe nuk është e qartë, nuk është sqaruar as nga administrata, as nga kryesia atë ditë se si do të vazhdohet, sa i përket pikave të mbetura. Jo, ne kemi qëndrim tepër të qartë sa i përket ligjit. I kemi argumentet tona që i kemi adresuar disa herë, të cilat kanë të bëjnë edhe me rrugën që po e ndjek, por edhe me përmbajtjen dhe ndikimin ndërkombëtar që mund ta ketë ky ligj. Prandaj, faktikisht, qëndrimin tonë e kemi shumë të qartë dhe është i pandryshueshëm”, ka deklaruar ajo, raporton “Ekonomia Online”.



