Xhavit Haliti nesër në Bruksel dëshmon në procesin gjyqësor për vrasjen e Enver Hadrit

18 nëntor 2026 | 11:25

Ish-nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, nesër (e enjte) do të dëshmojë në procesin gjyqësor që po zhvillohet në Bruksel të Belgjikës, lidhur me vrasjen e veprimtarit shqiptar Enver Hadri.

Në ftesën e gjykatës, të cilën e ka siguruar “Epoka e re”, thuhet se se Haliti është ftuar të paraqitet nesër në orën 12:00, në cilësinë e dëshmitarit në këtë proces gjyqësor.

Ai do të dëshmojë pranë Prokurorit të Përgjithshëm në Gjykatën e Apelit në Bruksel.

Sipas njoftimit të gjykatës, Haliti do të japë dëshmi lidhur me faktet e përmendura në aktakuzën ndaj Andrija Drashkoviqit.

Procesi gjyqësor për vrasjen e Enver Hadrit

Enver Hadri, veprimtar i çështjes kombëtare dhe kryetar i Komitetit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Kosovë, është vrarë më 25 shkurt 1990 në Bruksel të Belgjikës.

Hetimet e autoriteteve belge e kanë lidhur vrasjen e tij me strukturat e shërbimit sekret jugosllav, UDB, dhe me persona të përfshirë në organizimin dhe ekzekutimin e atentatit.

Në procesin e parë gjyqësor, të zhvilluar në vitin 2016, tre persona, Bozhidar Spasiq, Andrija Drashkoviq dhe Veselin Vukotiq, janë dënuar në mungesë me burgim të përjetshëm.

Në janar të vitit 2025, pas rigjykimit, Andrija Drashkoviq dhe Veselin Vukotiq janë dënuar sërish me burgim të përjetshëm.

Megjithatë, në tetor të vitit 2025, Gjykata e Kasacionit në Belgjikë e ka anuluar vendimin ndaj Drashkoviqit, për shkak të çështjeve që lidhen me vlerësimin e një dëshmie, duke urdhëruar rigjykimin e tij.

Procesi i ri ndaj Drashkoviqit ka nisur më 13 nëntor 2026 në Nivelles të Belgjikës.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës,…