Të rinjtë janë të gatshëm të udhëheqin të ardhmen – sistemet tona duhet të përshtaten
Nga Florence Bauer
Kur i pyesim të rinjtë në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore se çfarë dëshirojnë nga jeta, përgjigjet e tyre janë jashtëzakonisht të qarta: ata duan punë kuptimplote, një shtëpi të tyren, një lidhje të qëndrueshme me partner dhe fëmijë.
Megjithatë, në të gjithë rajonin tonë, të rinjtë po i shtyjnë ose po heqin dorë pjesërisht nga këto etapa të jetës.
Shpesh, kjo paraqitet si një rrëfim i apatisë së të rinjve ose i ndryshimit të vlerave. Por raporti i ri i UNFPA-së, Gjendja e Popullsisë së Botës 2026, e përmbys këtë narrativë. Të rinjtë e sotëm nuk po i kthejnë shpinën familjes apo jetës qytetare. Përkundrazi, atyre u mungon siguria ekonomike, shërbimet dhe mundësia për të shprehur zërin e tyre, që do t’u mundësonin t’i realizonin aspiratat.
Në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore, dëshmitë janë të qarta. Anketa e UNFPA-së për të Ardhmen Demografike, në të cilën u anketuan mbi 13,500 të rinj të moshës 18 deri në 39 vjeç në 11 vende dhe territore të rajonit tonë, zbulon një brez që është thellësisht i përkushtuar ndaj jetës familjare. Gati katër në pesë të rinj (79 për qind) dëshirojnë të martohen – një përqindje shumë më e lartë se në vendet krahasuese të Evropës Perëndimore dhe Azisë Lindore – ndërsa 95 për qind e të anketuarve që nuk kanë fëmijë dëshirojnë të kenë të paktën një fëmijë.
Megjithatë, këto aspirata përballen me pengesa strukturore. Në të gjithë rajonin, të rinjtë përmendin pasigurinë financiare, mungesën e banesave të përshtatshme dhe vështirësinë për të gjetur një partner të përshtatshëm si pengesat kryesore që i ndalojnë të bëhen prindër. Në të njëjtën kohë, shqetësimet për paqëndrueshmërinë politike dhe konfliktet janë dukshëm më të larta në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore sesa në vendet krahasuese.
Këto presione nuk ndikojnë njësoj te të gjithë. Në të gjithë rajonin, gratë i vlerësojnë pothuajse të gjitha pengesat për t’u bërë prindër si më të rëndësishme sesa burrat, duke reflektuar shqetësimet e vazhdueshme shëndetësore, vështirësitë në qasjen në banesa dhe ndarjen e pabarabartë të kujdesit të papaguar dhe punëve të shtëpisë. Kur gratë detyrohen të zgjedhin mes karrierës dhe të pasurit fëmijë, nuk është për t’u habitur që optimizmi i tyre zbehet gjatë të njëzetave dhe të tridhjetave.
Përballë rënies së natalitetit dhe ndryshimeve në trendet demografike, disa qeveri në rajonin tonë tundohen të kërkojnë zgjidhje të shpejta, siç janë bonuset e njëhershme për lindjen e fëmijëve ose retorika që u bën presion të rinjve, veçanërisht grave, të kenë më shumë fëmijë. Siç e kemi parë vazhdimisht, ndihmat financiare të njëhershme nuk e zgjidhin një problem strukturor, ndërsa detyrimi vetëm i minon të drejtat riprodhuese dhe barazinë gjinore, për të cilën është luftuar shumë.
Nëse duam qëndrueshmëri demografike, duhet të fillojmë duke dëgjuar atë që vetë të rinjtë po kërkojnë.
Konsultimet për raportin e këtij viti Gjendja e Popullsisë së Botës i bëjnë të qarta prioritetet e tyre. Së pari, duhet të ngushtojmë hendekun mes arsimit dhe punës së denjë, duke u mundësuar të rinjve të zhvillojnë aftësi digjitale dhe në inteligjencën artificiale (AI), si dhe duke krijuar rrugë të qëndrueshme drejt punësimit. Së dyti, duhet të investojmë në bazat e jetës së pavarur të të rriturve, përfshirë banesa të përballueshme, kujdes të qasshëm për fëmijët dhe politika të vendeve të punës miqësore ndaj familjes, që i nxisin burrat të ndajnë në mënyrë të barabartë përgjegjësitë e kujdesit.
Mbrojtja e autonomisë trupore dhe zgjerimi i shërbimeve të shëndetit seksual dhe riprodhues që u përshtaten të rinjve duhet të jenë gjithashtu prioritet, pasi këto përballen me kundërshtime dhe shkurtime të financimit që rrezikojnë dekada përparimi. Së fundi, duhet të sigurohemi që përfshirja e të rinjve të mos mbetet vetëm në nivel konsultimi simbolik, por të përkthehet në ndikim të mirëfilltë në vendimmarrje Të rinjtë janë të zhgënjyer nga sistemet aktuale – por nuk po tërhiqen nga angazhimi; ata po angazhohen në mënyra të tjera, në komunitetet e tyre dhe në hapësirat digjitale. Ata meritojnë një rol të mirëfilltë në përcaktimin e buxheteve dhe politikave afatgjata që do të përcaktojnë të ardhmen e tyre.
Të rinjtë në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore nuk po kërkojnë që brezat e vjetër të tërhiqen. Ata po kërkojnë që të hiqen pengesat që u qëndrojnë në rrugë. Kur investojmë në fuqinë e tyre për të vepruar, sigurinë dhe të drejtat, bëjmë më shumë sesa t’i ndihmojmë të ndërtojnë jetën që dëshirojnë; ne sigurojmë të ardhmen e gjithë rajonit tonë.
Florence Bauer është Drejtoreshë Rajonale e UNFPA-së për Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore, Fondi për Popullsi i Kombeve të Bashkuara.



