Haxhiu për Jakup Krasniqin: Jam pranë tij, bashkëshortes dhe gjithë familjes së tij
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar në “Facebook” pas kthimit të Jakup Krasniqit për pak ditë në Kosovë, për të qëndruar pranë bashkëshortes së tij, gjendja shëndetësore e së cilës është rënduar.
Haxhiu ka shprehur bashkëndjenjën me familjen Krasniqi, duke rikujtuar kontributin e tij gjatë luftës së UÇK-së dhe në proceset e shtetndërtimit të Kosovës.
Ajo ka theksuar se do të vazhdojë angazhimin për drejtësi dhe lirimin e plotë të krerëve të UÇK-së, tani që çështja ndodhet në Apel.
“Me shumë dhimbje dhe bashkëndjenjë po e përcjellim ardhjen e bacës Jakup Krasniqi në Kosovë. Ai është kthyer për pak ditë, për të qenë pranë bashkëshortes, gjendja shëndetësore e së cilës është rënduar. Zëri i UÇK-së gjatë luftës, kryetari i Kuvendit që drejtoi seancën historike të shpalljes së Pavarësisë dhe atë të miratimit të Kushtetutës, një nga figurat e rëndësishme të shtetndërtimit të Kosovës. Sot, Jakup Krasniqi po kalon ditë të vështira, larg lirisë dhe në rrethana të rënda familjare, por jo i vetëm. Qëndrimi im për procesin dhe aktgjykimin ndaj tij dhe të tjerëve është i njohur. Tani që çështja ndodhet në Apel, do ta vazhdojmë betejën për drejtësi dhe për lirimin e plotë të krerëve të UÇK-së. Jam pranë Jakup Krasniqit, bashkëshortes dhe gjithë familjes së tij. Atyre u uroj forcë dhe që këto ditë, sado të vështira, t’i kalojnë bashkë e në qetësi”, ka shkruar Albulena Haxhiu.



