Aktivistët mbulojnë me hi komisionerin e BE-së Olivér Várhelyi
Dy aktivistë të një organizate që përfaqëson personat e prekur dhe të shëruar nga kanceri kanë hedhur një substancë gri, që ngjante me hi, mbi komisionerin e Bashkimit Evropian për Shëndetësinë, Olivér Várhelyi, gjatë një samiti në Bruksel.
Incidenti ndodhi teksa Várhelyi po përgatitej të mbante një fjalim për luftën kundër kancerit. Dy protestues u ngjitën në skenë dhe e spërkatën me pluhurin gri, në shenjë kundërshtimi ndaj një pakete të re ligjore të BE-së që synon lehtësimin e përdorimit të pesticideve.
“Unë jam një paciente me kancer dhe po protestoj kundër të ashtuquajturit ligj omnibus”, deklaroi njëra nga aktivistet, pjesë e grupit francez “Cancer Colère”.
Ndërsa aktivistja tjetër tha: “Ky është hiri i njerëzve që ju do t’i vrisni me pesticide”.
Njëra nga protestueset ishte shkrimtarja dhe aktivistja franceze Fleur Breteau, ndërsa identiteti i personit tjetër nuk është bërë i ditur.
Komisioni Evropian e ka prezantuar paketën ligjore si një mënyrë për të përshpejtuar procedurat e miratimit të pesticideve dhe për të lehtësuar punën e fermerëve. Megjithatë, propozimi ka shkaktuar kundërshtime të shumta nga organizatat mjedisore dhe ato që merren me mbrojtjen e shëndetit publik.
Mbi 2 mijë shkencëtarë kanë nënshkruar një letër përmes së cilës kërkojnë pezullimin e propozimit deri në realizimin e një vlerësimi të pavarur të ndikimit të tij.
Pas incidentit, Várhelyi e largoi pluhurin nga rrobat dhe vazhdoi fjalimin sipas planit, duke shprehur habinë për veprimin e protestuesve.
Ndërkohë, më shumë se 300 organizata joqeveritare nga 25 vende evropiane kanë paralajmëruar protestë më 24 nëntor para Parlamentit Evropian në Strasburg, kundër ndryshimeve të propozuara për përdorimin e pesticideve.



