Skandali që po trondit Evropën: Rusët financuan Marine Le Pen përmes bankës së Orbanit

20 nëntor 2026 | 08:18

Disa dokumente të zbuluara nga Deutsche Bank tregojnë se një rrjet rus ka transferuar fonde për Marine Le Pen, udhëheqësen e partisë franceze të krahut të djathtë “Tubimi Kombëtar” (National Rally), përmes një banke hungareze që lidhet me Viktor Orbán-in.

Kjo bëhet e ditur nga një hetim i ri i kryer nga një konsorcium mediash, në të cilin përfshihen, ndër të tjera, Financial Times, Der Spiegel, Le Monde dhe The New York Times.

Të paktën 1,7 miliard euro

Një hetim i gjerë, i publikuar të martën dhe që përfshin më shumë se 200 gazetarë, zbuloi se disa kompani të mëdha të përfshira në këtë çështje kanë lidhje me oligarkun rus të sanksionuar, Oleg Deripaska, raporton TV BFM.

Sipas portalit informativ Direkt36, i cili mori pjesë në hetim, banka hungareze MKB luajti një rol kyç në këtë rrjet rus – një rrjet që dyshohet se është përdorur për pastrim parash.

Portali raporton se MKB – e cila është pjesërisht në pronësi të shtetit hungarez – kaloi nën kontrollin e biznesmenëve që kanë lidhje të ngushta me Orbán-in në vitin 2017. Më pas, ajo ndihmoi në financimin e aleatëve të tij të ekstremit të djathtë jashtë vendit, përfshirë Marine Le Pen.

Sipas Direkt36, rrjeti rus transferoi të paktën 1,7 miliardë euro midis viteve 2017 dhe 2020, ndërsa ka tregues të shumtë që të çojnë drejt krimit të organizuar. Pesë nga 15 kompanitë kryesore që vepronin brenda këtij rrjeti – shumica e të cilave ishin të regjistruara në Hong Kong dhe Qipro – mbanin llogari në këtë bankë, pavarësisht se nuk kishin asnjë lidhje të dukshme me Hungarinë, raporton portali.

Dokumentet zbulojnë pagesa

Edhe pse banka MKB pretendoi se i kishte ndërprerë marrëdhëniet me shumicën e klientëve të saj jorezidentë në vitin 2019, Deutsche Bank nuk vërejti ndonjë rënie të ndjeshme në vëllimin e madh të transaksioneve që vinin nga këta klientë, thuhet në raport.

Kjo situatë e shtyu gjigantin bankar gjerman t’i jepte fund partneritetit të tij afatgjatë me bankën hungareze, e cila më pas lidhi një marrëveshje të re me bankën holandeze ING, raporton Direkt36.

Mediat austriake gjithashtu raportuan sot se dokumentet kanë zbuluar pagesa të kryera nga ky rrjet – i cili dyshohet për pastrim parash – drejt disa kompanive austriake. Një nga kompanitë brenda këtij rrjeti, një subjekt i regjistruar në Hong Kong me emrin Dempsey Corporation, ishte e lidhur me Oleg Deripaskën dhe, sipas gazetës Der Standard, transferoi më shumë se 130 milionë euro gjatë një periudhe prej tre vitesh. /Vijesti

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Dy aktivistë të një organizate që përfaqëson personat e prekur…