Arijon Ibrahimoviq: S’kam ende asnjë kontakt me Kloppin, me FFK-në kam biseduar disa herë

20 nëntor 2026 | 11:37

Sulmuesi i Bayern Munichut, Arijon Ibrahimoviq, i huazuar te skuadra tjetër e Bundesligës gjermane, FC Augsburg, ka folur për mundësinë e përfaqësimit të Kosovës në garat ndërkombëtare.

Ibrahimoviq, i cili mban pasaportë gjermane dhe kosovare dhe aktualisht grumbullohet me Përfaqësuesen U21 të Gjermanisë, në një intervistë për median gjermane “Spox”, ka theksuar se ende nuk është kontaktuar nga trajneri i Kombëtares A të Gjermanisë, Jürgen Klopp.

Megjithatë, ai ka thënë se ka pasur kontakte me Federatën e Futbollit të Kosovës.

“Po, kam pasur kontakte me Federatën e Kosovës. Zhvillimin pozitiv të federatës dhe të futbollit kosovar e përcjell me shumë respekt. Megjithatë, aktualisht fokusi im është te Përfaqësuesja U21 e Gjermanisë, për të cilën luaj me shumë kënaqësi. Natyrisht, do të kisha dashur të isha pjesë e ndeshjeve të fundit të kombëtareve, ashtu si bashkëlojtarët e mi Hennes Behrens, Anton Kade dhe Mert Komur, por u detyrova të tërhiqesha për shkak të një lëndimi në muskulin e pulpës, në mënyrë që të rikuperohesha plotësisht”.

Ai ka treguar se është shumë i lidhur me Kosovën.

“E vizitoj familjen time në Kosovë të paktën një herë në vit, e ndonjëherë edhe më shpesh. Kjo është shumë e rëndësishme për mua”, ka deklaruar Ibrahimoviq.

I pyetur për përzgjedhjen që talenti tjetër i akademisë së Bayern Munichut, Erblin Osmani, bëri për të përfaqësuar Kosovën, me të cilën edhe debutoi si lojtari më i ri në historinë e saj, Ibrahimoviq ka thënë se e ka uruar atë dhe se e ka merituar këtë mundësi.

“E kam uruar për debutimin dhe jam shumë i lumtur për të. Ai e ka merituar këtë mundësi”, është shprehur sulmuesi gjermano-kosovar, Arijon Ibrahimoviq.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka pranuar një…