Xhiroja e 14-të e Superligës nis me përballjen Prishtina – Drenica
Superliga e Kosovës në futboll rikthehet sot me ndeshjet e xhiros së 14-të, pas ndërprerjes së kampionatit për shkak të ndeshjeve të kombëtareve.
Takimi i parë i kësaj jave do të jetë përballja ndërmjet Prishtinës dhe Drenicës.
Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, duke filluar nga ora 17:00.
Prishtina e pret këtë ndeshje nga pozita e liderit të kampionatit, me 32 pikë të grumbulluara në 13 ndeshje. Bardhekaltrit kanë regjistruar dhjetë fitore, dy barazime dhe vetëm një humbje, ndërsa kanë pesë pikë më shumë se Malisheva, që renditet e dyta me 27 pikë. Drita është e treta me 24 pikë, kurse Gjilani zë pozitën e katërt me 22 pikë.
Në anën tjetër, Drenica ndodhet në pozitën e tetë me 12 pikë, pas dy fitoreve, gjashtë barazimeve dhe pesë humbjeve. Skuadra nga Skenderaj ka katër pikë më shumë se Llapi, që gjendet në zonën e rrezikut për rënie, dhe nëntë pikë më shumë se Vushtrria, e cila ka vetëm tri pikë.
Kësisoj, kjo përballje ka rëndësi për të dyja skuadrat. Prishtina synon ta vazhdojë serinë pozitive dhe ta ruajë epërsinë në krye të tabelës, ndërsa Drenica kërkon pikë të rëndësishme për t’u larguar nga pjesa e poshtme e klasifikimit.
Xhiroja e 14-të do të vazhdojë të shtunën dhe të dielën me katër përballjet e tjera të kampionatit.
Në dhjetë përballjet e fundit mes këtyre dy skuadrave, Prishtina ka regjistruar pesë fitore, dy ndeshje kanë përfunduar në barazim, kurse Drenica ka shënuar tri fitore.



