AKK-ja i reagon Kurtit: Boll më me përçmime, qytetari i Republikës e ka adresën në komunë

20 nëntor 2026 | 16:34

Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) i ka reaguar kryeministrit Albin Kurti, pas deklaratës së tij të mbrëmshme në Kuvend, ku ka thënë se qytetarët në Kosovë jetojnë më mirë si qytetarë të Republikës sesa si banorë të komunave.

Përmes një reagimi, Bordi i AKK-së i ka kërkuar Kurtit të ndalë, siç i ka cilësuar, përçmimet ndaj komunave dhe të përmbushë zotimet për financimin dhe autonominë lokale.

Në reagim, Asociacioni ka ironizuar deklaratën e kryeministrit, duke e pyetur se në cilën komunë mbërrin qytetari i Republikës kur kthehet në shtëpi.

AKK-ja ka rikujtuar edhe disa deklarata të mëhershme të Kurtit ndaj komunave, përfshirë cilësimet “politikë antishtetërore” dhe “komunat dembele”, si dhe paralajmërimin për ndarjen e buxhetit për kryetarët që, sipas tij, nuk dinë të punojnë mirë ose vjedhin.

“Si Bord i Asociacionit të Komunave të Kosovës, po e shohim se komunat e kanë marrë një dëftesë të tërë prej jush. Në vitin 2022, për mosdorëzimin e listave të pagave gjatë grevës, na doli vërejtja ‘politikë antishtetërore’. Në shtator 2025, ‘komunat dembele’. Në nëntor të po atij viti, erdhi paralajmërimi se buxhetin nuk do t’ua jepnit kryetarëve që, sipas jush, ‘nuk dinë të punojnë mirë’ ose ‘vjedhin’. Tash po na thoni edhe se do të parapëlqenit që arsimi të ishte më i centralizuar. Veç vula e Ministrisë po i mungon dëftesës. Ndërkohë, Granti i Katërt për investime kapitale, me të cilin premtuat më shumë autonomi për komunat, ende nuk është bërë realitet. Kanë kaluar më shumë se dy vjet nga takimi juaj i fundit me kryetarët e komunave, ndonëse AKK-ja ka kërkuar takim. Me këtë ritëm, edhe karriget e sallës kanë me kërkuar sqarim se kush po vonohet”, është në reagimin e AKK-së

Në fund, Asociacioni i ka bërë thirrje kryeministrit që të takohet me kryetarët e komunave, t’i dëgjojë shqetësimet e tyre dhe t’i mbajë zotimet për financimin dhe autonominë lokale.

“Për adresën e takimit mos u shqetësoni. Kudo që ta caktoni në Republikën e Kosovës, ka me qenë në një komunë”, është thënë reagimin e AKK-së.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Liria e Prizrenit e ka mbyllur stinorin vjeshtor në pozitën…