Fituesi i titullit “Jean Monet Chair” të Komisionit Evropian, prof. Gazmend Qorraj: UP-ja është lider i aktiviteteve akademike
Profesori i Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, prof. Gazmend Qorraj, që sivjet fitoi për herë të tretë titullin prestigjioz të Komisionit Evropian “Jean Monet Chair”, tha se ky vlerësim i lartë akademik ndërkombëtar i jep motiv shtesë për të vazhduar projektet dhe nismat shkencore e profesionale.
Profesori Qorraj u përzgjodh edhe sivjet për këtë program të Komisionit Evropian duke hyrë në mesin e 72 profesorëve nga vende të ndryshme të botës që do të jenë pjesë e programit që promovon studimet në fushën e integrimit evropian.
„Përzgjedhja për herë të tretë si ,Jean Monnet Chair’ është për mua një konfirmim i punës sime të vazhdueshme shkencore dhe akademike. Besoj se, në një periudhë të caktuar kohore, secili profesionist ka nevojë për një konfirmim të punës dhe të rezultateve të veta. Prandaj, ky program dhe ky titull i fituar nga një institucion evropian e dëshmojnë më së miri këtë”, tha profesori Qorraj.
Ai vlerësoi që Universiteti i Prishtinës është lider në të gjitha aktivitetet akademike, teksa tregoi se në kuadër të programit „Jean Monet Chair”, si profesor i UP-së do të mbikëqyrë kolegët nga universitetet e rajonit dhe do të ligjërojë në disa nga këto universitete.
„Po, është e vërtetë se Universiteti i Prishtinës, me gjithë sfidat, ka qenë dhe vazhdon të jetë lider në fushën e kërkimeve shkencore, mësimdhënies dhe aktiviteteve të tjera akademike e profesionale. Në kuadër të aktiviteteve të këtij programi, unë do të monitoroj disa nga kolegët e universiteteve të rajonit, si dhe do të mbaj ligjërata në Universitetin e Tiranës, Universitetin e Sarajevës dhe Universitetin e Podgoricës”, shpjegoi profesori Qorraj.
Ai bëri të ditur se përzgjedhja në programin e Koniisionit Evropian do t’i ndihmojë Universitetit të Prishtinës dhe Fakultetit të Ekonomisë edhe për ndërkombëtarizim, rrjetëzim dhe partneritete të reja.
„Në kuadër të programit kam përfshirë edhe profesorë nga Italia, Sllovenia, SHBA-ja dhe Anglia, të cilët do të jenë të kyçur si në mësimdhënie, ashtu edhe në kërkime shkencore. Prania e tyre ofron mundësi për bashkëpunim, përvojë të ndryshme, si dhe programe të tjera e partneritet të vazhdueshëm me Universitetin. Përveç kësaj, do të kemi edhe shumë organizime dhe iniciativa në Bruksel dhe në qendra të tjera evropiane”, tha profesori që në UP ligjëron, mes tjerash, për Mikroekonomi, Ekonomi të Kosovës dhe Ekonomi të Bashkimit Evropian.
Profesori Qorraj deklaroi se përvoja e tij do t’u ndihmojë studentëve dhe Universitetit për të përfituar më shumë nga programet e BE-së, por edhe Kosovës në sfidat e integrimeve evropiane.
„Mendoj se jo vetëm përvoja ime, por përvoja e secilit profesionist mund ta ndihmojë fillimisht Universitetin, procesin e edukimit e kërkimit, si dhe vetë proceset integruese të vendit. Për momentin, përvoja ime do të shfrytëzohet nga studentët jo vetëm të Fakultetit të Ekonomisë, por edhe të fakulteteve të tjera, duke i informuar dhe udhëzuar ata për rritjen e kapaciteteve absorbuese, si dhe për përfitimet nga programet e BE-së, si mënyra e vetme për të krijuar kuadro profesionale dhe për të përfituar nga fondet e BE-së”, tha profesori Qorraj.
Arritjet e tilla të larta akademike e profesionale të profesorëve dhe studentëve të UP-së tregojnë se në këtë universitet ofrohet dije dhe kërkim shkencor i nivelit botëror.



