‘Ushqimi vinte një herë në 24 orë dhe ishte i ftohtë’, Gucati rrëfen kushtet në Hagë
23 nëntor 2026
| 17:25
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVLUÇK), Hysni Gucati, ka folur për kushtet në qendrën e paraburgimit në Hagë.
Ai ka thënë se gardianët sillen mirë me të burgosurit, por, sipas tij, në aspektet e tjera ka shumë neglizhencë, veçanërisht sa i përket ushqimit.
Gucati ka treguar se ushqimi shpërndahej vetëm një herë në 24 orë dhe, sipas tij, ai ishte i ftohtë.
“Gardianët janë shumë njerëz të mirë, sillen mirë me neve, por gjërat e tjera janë shumë neglizhencë. Prej ushqimit deri te punët e tjera. Aty ushqimi vjen 24 orë një herë, në orën 11:20 të ditës vinte dhe deri të nesërmen në orën 11:00 nuk ke pasur ushqim. Aty ushqimi është i ftohtë”, ka deklaruar Gucati në emisionin “21 Drejtpërdrejt” të“ RTV21”.



