Reçica kritikon ekzekutivin për gjendjen ekonomike dhe buxhetin

24 nëntor 2026 | 08:57

Rritja e buxhetit në shifra nuk po përkthehet domosdoshmërisht në mirëqenie për qytetarët, sipas deputetit të PDK-së, Elmi Reçica.

Ai thotë se inflacioni, pagat që nuk e përcjellin rritjen e çmimeve dhe mungesa e investimeve të orientuara drejt zhvillimit po e rëndojnë gjendjen ekonomike të familjeve në Kosovë.

Reçica ka kritikuar Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti, duke thënë se ndihmat e herëpashershme nuk e zgjidhin problemin ekonomik të familjeve, por se sipas tij, nevojiten rritje të qëndrueshme të pagave dhe mbështetje sociale të rregulluar me ligj.

“Ju e dini shifrat reale, që janë të agjencioneve që janë përcaktuara me kushtetutë dhe me ligje e thonë që mirëqenia sociale e qytetarëve të tanë është në rënie. Inflacioni është i lartë, rritja e paktë e pagave nuk ka mundur me përcjellë, kështu që gjendja brenda ekonomive familjare është rënduar. Një nga shkaqet dhe arsyet e qenësore, të rëndësishme, të zbrazjes së Kosovës janë edhe këto çështje, sepse të rinjtë sidomos, po edhe mosha të tjera, janë në një luftë për mbijetesë dhe secili i ri dhe secila e re do të ketë një perspektivë, angazhohet dhe sakrifikon shumë për të pasur një perspektivë dhe një nga arsyet është edhe kjo”, tha Reçica.

Ai ka kritikuar mënyrën se si Qeveria po e trajton mbështetjen sociale, duke thënë se ndihmat e shpërndara në periudha të caktuara nuk krijojnë stabilitet ekonomik për familjet.

“Sepse gjendja sociale përkundër asaj që kjo qeveri e Albin Kurtit thirret shumë po ato janë donacione të herëpashershme, nuk janë ngritje pagash që të ketë një stabilitet, po janë kryesisht për shkak të fushatave zgjedhore, në mënyrë që për t’i blerë votat, jo për t’ia zgjidhur problemin social-ekonomik familjeve dhe në këtë rast edhe të rinjve”, potencoi ai.

Reçica ka vlerësuar se Kosova krahas shteteve të tjera të rajonit, vazhdon të jetë në fund të listës sa i përket zhvillimit ekonomik, pagave dhe mundësive për qytetarët, ndonëse ka pranuar se vendi është shtet i ri dhe se zhvillimi kërkon punë të vazhdueshme.

Ai ka kritikuar edhe deklaratat e kryeministrit për rritjen e buxhetit, duke thënë se rritja e tij është e natyrshme me kalimin e viteve dhe se rëndësi ka mënyra se si orientohen mjetet financiare.

“Kosova në të gjitha çështjet është në fund të listës. Edhe është e argumentuar, e fotografuar. Normal që ne e dimë që jemi shtet i ri. Dhe normal që e dimë që do të duhej me punuar jashtëzakonisht shumë për t’i arritur shtetet e tjera. Mirëpo po e ritheksoj edhe njëherë, ajo çfarë është duke ndodhur dhe që është një mburrje në thonjëza e qeverisë Kurti, është se ne po e rrisim buxhetin”, shtoi.

Duke krahasuar buxhetet ndër vite, ai ka përmendur periudhën kur Partia Demokratike e Kosovës kishte fituar pushtetin në vitin 2007 si dhe buxhetin e vitit 2014, kur Hashim Thaçi nuk ishte kryeministër, duke thënë se rritja e buxhetit nuk mund t’i atribuohet vetëm qeverisë aktuale.

“Unë e thashë dhe në seancën e kaluar, kur e ka marrë Partia Demokratike, kur e ka fituar pushtetin në 2007-ën, buxheti ka qenë mbi 700 milionë euro. Kur për kryeministër pra kemi qenë në një mandat, në 2014-ën, kur Hashim Thaçi s’ka qenë kryeministër, ka qenë buxheti 1 miliard e 700 milion e 590 milionë euro përafërsisht këtu. Thotë 2.2 herë është rritur. Ndërsa nuk e ka rritur kjo qeveri 2.2 herë buxhetin. Thotë është krejt normale e këtë dua ta theksoj që buxheti do të rritet dhe duhet të rritet. Esenca është se ka orientohen ato para. Investimet kapitale, mbështetja e bizneseve, siguria për investitorët të huaj, këto janë baza e fuqizimit ekonomik të një shteti”, potencoi ai.

Sipas Reçicës, mbështetja e qytetarëve përmes donacioneve të njëhershme nuk është zgjidhje për problemet ekonomike, ndërsa ka kërkuar që ndihmat sociale dhe rritjet e pagave të jenë të qëndrueshme dhe të rregulluara në mënyrë institucionale.

“Jo vetëm donacionet e herëpashershme për të tentuar, për t’i zgjidhur kinse probleme sociale. Nuk zgjidhen probleme sociale me një 100 euro nëse ja u nxjerr tre muaj ditë. Po duhet me pagë ose me mbështetje sociale të legjitimuar dhe të ligjësuar, që çdo muaj ai do ta pranon, domethënë me herë atë ndihmë. Kjo vlen pastaj edhe për rritjen e pagave dhe të gjitha të tjerat”, ka sqaruar Reçica.

Deputeti i PDK-së ka kritikuar edhe projektbuxhetin për vitin 2027, i cili është votuar në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës, duke thënë se ndarjet buxhetore nuk janë orientuar në mënyrë të duhur për të mbështetur zhvillimin ekonomik dhe për të adresuar vështirësitë me të cilat po përballen qytetarët.

Ai ka thënë se gjatë debatit parlamentar për buxhetin, analizat e ish-ministrave të Financave, Bedri Hamza dhe Avdullah Hoti, sipas tij, kanë argumentuar se pretendimet e Qeverisë për rritjen ekonomike dhe fuqizimin e institucioneve nuk qëndrojnë.

“Shumë deputetë kanë diskutuar, ju e dini atë natë dhe ka pasur diskutime të gjata të argumentuara. Unë pa i mohuar dhe abstrahuar të tjerët, do t’i kisha ndalur dy ekspertë të ekonomisë dhe financave, dy ish-ministra, që e kanë bërë analizën zoti Bedri Hamza dhe zoti Avdullah Hoti. Analizën që e kanë bërë buxhetit dhe pretendimeve të qeverisë dhe të ministrit të financave dhe kryeministrit Kurti, se ata kanë një buxhet që ofron një rritje ekonomike, një fuqizim të të gjitha institucioneve të shtetit dhe një mundësi për të ecur përpara si shtet, i kanë demantuar. Dhe ato katërcipërisht qëndrojnë secila prej atyre konstatimeve”, ka deklaruar Reçica.

Ai ka shprehur kritika për mungesën e përfshirjes së propozimeve të opozitës në buxhet, duke thënë se institucionet duhet të marrin parasysh sugjerimet dhe analizat e deputetëve, pavarësisht përkatësisë politike.

“Dhe është shumë keq që ne nuk jemi të gjithë të dijshëm. Po të mohosh, të abstrahosh këshillat, propozimet, idetë, sugjerimet e njerëzve të tillë dhe e grupeve të tëra parlamentare të deputetëve të tjerë, asnjë gjë nuk është marrë parasysh. Unë po e përsëris edhe një gjë, ne e dimë që është skenari. Debatohet për buxhetin, jepen vërejtje, propozime, kritika, sugjerime, për të qenë një buxhet më i mirë sepse në atë buxhet jetojmë edhe ne, jeton edhe ky vend, jetojnë familjet tona. Ne e duam shtetin të fuqishëm”, ka thënë ai.

Reçica ka thënë se, sipas tij, asnjë amendament i propozuar nga deputetët opozitarë nuk është marrë parasysh gjatë procesit të shqyrtimit të buxhetit, duke e konsideruar këtë si një praktikë që dëmton zhvillimin dhe fuqizimin e shtetit.

“Thashë mes dy leximeve, propozohen amendamente, asnjë amendament i deputetëve opozitar, pavarësisht çfarë natyre është, nuk kalon. Sepse ata janë të vetë-mjaftueshëm sipas tyre. Që e dëmton në esencë zhvillimin dhe fuqizimin e shtetit”, shtoi Reçica.

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim Projektbuxhetin për vitin 2027, i cili kap vlerën prej 4.27 miliardë eurosh. /EO

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Sot, më 24 nëntor, në Gjykatën Themelore në Pejë pritet…